Debushi lë Arsenalin
E ardhmja e Matiu Debushi mund të jetë larg Premier Ligës. Mbrojtësi i krahut të djathtë të Arsenalit, skuadër tek e cila është transferuar që në vitin 2014, nuk po gjen vend në formacionin e Arsen Venger dhe për këtë mund të vendosë të largohet që gjatë kësaj merkatoje. Me shumë mundësi 32-vjeçari do të rikthehet në Ligue 1, ku skuadra e Sent-Etienne, që drejtohet nga Zhan-Luis Gasset ka shfaqur interes për të.
Giggs, trajneri i ri i Uellsit
Rajan Giggs është trajneri i ri i përfaqësueses së Uellsit. Mungon vetëm zyrtarizimi i cili do të vijë në orët e ardhshme por tashmë është e sigurt që ish mesfushori legjendar i Mançester Junajtedit do të ulet në stolin e kombëtares së vendit të tij për të udhëhequr Uellsin drejt kualifikimit në Euro 2020 dhe Botërorin 2022. Giggs do të firmosë një kontratë 4-vjeçare me përfaqësuesen nga Mbretëria e Bashkuar dhe do të mundohet ta çojë sa më larg Uellsin duke marrë më të mirën nga yjet e skuadrës Geret Bejll dhe Aron Ramsej, gjatë kësaj periudhe. Ai zëvendëson në këtë detyrë të larguarin Kris Koleman.
Babakar kërkon largimin
Khouma Babakar vijon të jetë një nga emrat më të lakuar në merkaton e Janarit, në Serinë A dhe jo vetëm. Sulmuesi i Fiorentinës nuk pranon të rinovojë dhe kërkon të luaj rregullisht, por duke parë ofertat e shumta, drejtuesit mund ta sakrifikojnë në këtë sezon merkatoje. Udinese, Sassuolo, Gallatasaraj, Everton dhe Kristal Pallas, kanë shfaqur interes dhe janë gati të bëjnë një ofertë për 24-vjeçarin, i cili ka kontratë deri në vitin 2019 me Fiorentinën.
Fellaini i bashkohet Mojesit?
Marouane Fellaini me shumë mundësi do t’i thotë lamtumirë Mançester Junajtedit gjatë kësaj merkatoje. Mesfushori, i cili më parë ka refuzuar ofertën e drejtuesve të “Djajve të Kuq” për rinovimin e kontratës, mund të transferohet te skuadra e Uest Hem. Ekipi i drejtuar nga David Mojes kërkon përforcime për sezonin e dytë të kampionatit dhe belgu shikohet si alternativa e duhur për repartin e mesfushës.