Pavon në vend të Aleksis Sançez
Vazhdojnë bisedimet mes Arsenalit dhe Mançester Sitit për Aleksis Sançez. Sipas mediave angleze, “Citizens” kanë ofruar 20 milionë sterlina për kartonin e sulmuesit kilian, kontrata e të cilit me “topçinjtë” përfundon në qershor, ndërsa futbollistit një pagë 250 mijë sterlina në javë. Palët janë afër marrëveshjes, e cila pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim. Ndërkohë Arsenali po mendon njëkohësisht edhe për zëvendësuesin e Sançez. Nga Argjentina raportojnë se Venger është gati të paguajë 31 milionë euro, që është klauzola e largimit të 21-vjeçarit Kristian Pavon nga Boka Juniors.
Gomes largohet nga Barcelona
Bashkëpunimi mes Andre Gomes dhe Barcelonës pritet të përfundojë që këtë muaj. Mesfushori, që kur u ble nga Valencia, nuk po arrin të gjejë hapësirën e dëshiruar dhe të jetë titullar dhe për këtë synon të transferohet në një klub ku do të kishte mundësi të luante rregullisht. Portugezi nuk dëshiron të humbasë dhe grumbullimin me Kombëtaren në Botërorin e Rusisë. Pak kohë më parë për 24-vjeçarin interesohej Juventusi, por Gomes ka dhe oferta nga klube të tjerë të rëndësishëm.
E ardhmja e Kediras mund të jetë në MLS
Sami Khedira është në udhëkryq për të ardhmen e tij. Mesfushori është një pikë kyçe në formacionin e Juventusit, teksa është aktivizuar titullar në 12 ndeshje të Seria A dhe 4 në Çampions Ligë, deri në këtë fazë të sezonit. Marrëveshja aktuale e 30-vjeçarit me “Zonjën e Vjetër” përfundon në vitin 2019, por nga ana tjetër lojtari ka dhe disa oferta nga “Major League Soccer”, dhe nuk përjashtohet mundësia e transferimit të tij në kampionatin amerikan. Gjithsesi, deri në fund të sezonit mesfushori i Kombëtares Gjermane nuk do të largohet nga bardhezinjtë, që janë në garë në të tre frontet për trofe.
Valencia kërkon rikthimin e Kancelos
Sipas mediave spanjolle, Valencia do ta bëjë një tentativë për të rimarrë Zhoao Kanselon në merkaton e janarit. Portugezi u transferua në formë huazimi me të drejtë blerjeje tek Interi gjatë verës por gjasat janë që të rikthehet në Spanjë. Në fakt pasi ngrohi stolin për një kohë të gjatë, Kancelo ka rigjetur veten te zikaltrit gjatë kësaj periudhe dhe në këtë moment të vështirë për Interi ka qenë një nga më të mirë duke zëvendësuar denjësisht të dëmtuar D’Ambrosio në krahun e djathtë të mbrojtjes. Prandaj pavarësisht tentativave të Valencias do të jetë shumë e vështirë që Kancelo të rikthehet në La Liga gjatë këtij muaji.