Gaitan në shitje
Hapja e merkatos në janar do të rikthejë manovrat e rëndësishme te Atletiko e Madridit. Diego Kosta do të bëhet lojtar i ekipit spanjoll por ndërkohë do të ketë edhe largime. I pari në listë është Nikolas Gaitan, mesfushori argjentinas i cili nuk ka bindur trajnerin Simeone dhe këtë sezon ka luajtur vetëm 216 minuta në total. Vetë lojtari dëshiron të luaj me shpresën për t’u grumbulluar me Argjentinën në Botëror ndërsa klubi ka fiksuar në 15 mln euro çmimin e kartonit të tij.
Torino vë në shënjestër Pacinin
Kriza që kaloi Torino në rezultate sipas Mihajlloviç ishte mungesa e një sulmuesi si zëvendësues i Belotit, i cili qëndroi shumë gjatë në infermieri për shkak të problemeve fizike. Për të zgjidhur këtë problem, drejtuesit po studiojnë alternativën e numrit 9 dhe emri më i pëlqyeshëm për trajnerin serb është ai i Giampaolo Pacinit. Ky i fundit ka raporte të tendosura me trajnerin Peçia te Verona dhe pas 2 sezonesh do të ishte momenti më i mirë për të nisur një aventurë të re në Serinë A në moshën 33-vjeçare.
Vagner i Bajernit
Sulmuesi i Hofenhaimit Sandro Vagner së shpejti do të bëhet lojtar i Bajernit të Munihut. Drejtuesit bavarezë mësohet se kanë arritur marrëveshjen me homologët e Hofenhaimit për transferimit e 30-vjeçarit të Kombëtares Gjermane te kampionët e Bundesligës. Vagner do t’i kushtojë Bajernit 12 milionë euro dhe do të firmosë një kontratë të vlefshme deri në vitin 2020. Gjatë këtij sezoni, sulmuesi 1.94 metra i gjatë është aktivizuar në 11 ndeshje në Bundesligë dhe ka realizuar 4 gola.
Lihshtajner nga Juvja te Marseji?
Marsej mund të përsërisë operacionin “Evra” me Juventusin. Trajneri francez Rudi Garsia kërkon një mbrojtës me eksperiencë për të përforcuar ekipin që të përballojë të gjitha kompeticionet dhe Stefan Lihshtajner do të ishte goditja më e mirë. Mbrojtësi zviceran është në vitin e fundit të kontratës me bardhezinjtë dhe mund të largohet që në janar, por vetëm me një kusht. Juventusi duhet të gjejë një alternativë për vendin që do të lërë bosh Lihshtajner dhe më pas do të jepte “ok” për largimin e 33-vjeçarit.
Nica do ta largojë Shnajderin
Aventura e Veslej Shnajder te Nice pritet të mbyllet pas 6 muajsh. Mesfushori holandez nuk ka dhënë atë që pritej nga stafi i Lucien Favre dhe në vetëm 8 ndeshje të luajtura nuk ka shënuar dhe ka dhënë vetëm 1 asistim. Aktualisht i dëmtuar, Shnajder pritet të kthehet në janar në fushë por me shumë mundësi me një fanellë tjetër, pasi klubi është gati të presë oferta për 33-vjeçarin. Një hipotezë është rikthimi në Holandë, por për fantazistin nuk mungojnë ofertat nga Italia dhe Anglia.