Kepa nuk rinovon me Bilbaon
Çështja Kepa mban në ankth tifozët dhe drejtuesit e Atletik Bilbaos. Këta të fundit janë disi të lodhur me sjelljen e portierit të cilit i skadon kontrata në fund të sezonit aktual dhe për të Real Madridi është gati të bëjë ofertë që në janar. 23-vjeçari kërkon të jetë mes 4 më të paguarve të klubit dhe një klauzolë rreth 100 mln euro. Kje kërkesë për presidentin Urrutia është e papranueshme por pavarësisht kësaj palët vijojnë negociatat teksa Real Madridi mbetet duke vëzhguar.
Interi dhe Milani pas talentit koreano-verior
Interi dhe Milani, dy klube në pronësi të kinezëve kanë hyrë në garë për një talent që mund t’u shërbejë ekipeve edhe në fushë por edhe në imazh në tregun aziatik. Bëhet fjalë për Han Kvang-song, sulmuesin e Kaljarit i cili po shkëlqen në huazimin te Perugja në Serinë B. Deri tani ai ka shënuar 6 gola në 9 ndeshje dhe blerja e tij nga Milani ose Interi do të kishte edhe efekt për rritjen e popullaritetit në Korenë e Veriut të kuqezinjve ose zikaltërve.
Zhoao Mario dhe Vendel, objektivat e PSZH
Paris Sen Zhermen nuk ka ndërmend të ndalet as në merkaton e janarit. Emery ka kërkuar nga drejtuesit dy mesfushorë me tipare sulmuese dhe objektivat janë Zhoao Mario nga Interi dhe Vendel i Fluminenses. Për të parin Interi nuk do të pranojë një ofertë më pak se 40 mln euro dhe në negociata mund të futet edhe një lojtar i parisienëve ndërsa për brazilianin mjafton një ofertë 20 mln euro për ta shkëputur nga Fluminense.
Shav drejt kalimit te Totenhemi
E ardhmja e Luke Shav te Mançester Junajtedi bëhet edhe më e vështirë pasi vetë Hoze Murinjo nuk mund t’i garantojë një vend titullari. Mbrojtësi anglez i blerë në 2014 për 30 mln sterlina nga Sautemptoni ka luajtur vetëm 32 ndeshje për shkak të dëmtimeve të shpeshta ndaj dhe e ardhmja e tij është larg “Old Trafford”. Për 22-vjeçarin interesohet Totenhemi ku dhe vetë lojtari ka shprehur dëshirën për të punuar me Poketinon teksa kontrata që i skadon në 2018 mund të lehtësojë transferimin e mbrojtësit në verë.
Verder shkarkon trajnerin Nouri
Aleksander Nouri nuk është më trajner i Verder Bremenit në Bundesligë. Ajo që ishte paralajmëruar pas humbjes 0-3 me Augsburgun, tashmë është bërë realitet. Drejtuesit e klubit e kanë shkarkuar 38-vjeçarin pas rezultateve të dobëta në këtë fillim sezoni. Disfata e fundit në shtëpi ishte pika që mbushi gotën, pasi Verderi ende nuk e ka shijuar fitoren në Bundesligë, teksa ka regjistruar 5 barazime dhe po kaq humbje. Vendin e lënë bosh nga Nouri e ka marrë trajneri skuadrës U-23, Florian Kohfeldt, derisa të gjendet njeriu i duhur për ta nxjerrë ekipin nga kriza e thellë e rezultateve.