Dortmundi e planifikon Haalandin sezonin tjetër
Dortmundi është duke e planifikuar sezonin tjetër me Erling Haalandin në krye të sulmit. Trajneri i Dortmundit, Sebasitan Kehl, beson se Haalandi do të qëndrojë në ekip edhe për edicionin tjetër. 20-vjeçari ka klauzolë të lirimit prej 65 milionë eurosh, shifër kjo që nuk ia garanton atij qëndrimin të klubi gjerman, duke ditur fuqitë financiare të gjigantëve evropian. Për sulmuesin norvegjez, janë interesuar disa klube të mëdha evropiane. Favorit për të në verë janë, Manchester United dhe Chelsea.
McKennie kompleton kalimin permanent te Juve
Juventusi ka konfirmuar se ka transferuar në mënyrë permanente Weston McKennie nga Schalke. Klubi italian e kishte amerikanin në formë huazimi nga skuadra gjermane, por është bindur nga cilësitë e tij. Kështu, duke mos humbur shumë kohë, Zonja e Vjetër e mbylli transferimin e tij, pasi lojtari ka treguar shfaqje të mira nën urdhrat e trajnerit Andrea Pirlo. Kampioni në fuqi i Serie A do t’i paguajë Schalkes 18.5 milionë euro brenda tre vitesh. Shuma mund të rritet po ashtu për 6.5 milionë euro, varësisht nga ajo çfarë arrin të fitojë lojtari. Ai ka nënshkruar kontratë me Juventusin deri më 30 qershor të vitit 2025.
Alaba momentalisht është në bisedime
David Alaba raportohet se momentalisht është në bisedime vetëm me klubin e Paris Saint-Germainit. Mbrojtësi ka njoftuar se do të largohet si lojtar i lirë nga Bayern Munichi, pasi të përfundojë ky sezon. Real Madridi thuhet se është favoriti kryesor për transferimin e tij, por sipas gazetarit sportiv nga “Bild”, Christian Falk, gjiganti spanjoll nuk ka bërë ende asnjë ofertë. Sipas Falk, 28 vjeçari momentalisht është në bisedime vetëm me PSG. United, City, Chelsea e Liverpool gjithashtu thuhet se kanë shprehur interesim për reprezentuesin austriak.
Unitedi bllokoi largimin e Van de Beek
Klubi anglez, Manchester Unitedi thuhet se nuk e lejoi holandezin Donny van de Beek të largohej në huazim në janar. Mesfushori holandez arriti në United nga Ajaxi në verën e fundit dhe erdhi si një transferim i madh pasi u paguan plot 55 milionë euro për të. Ai ka luftuar për të marrë kohën e rregullt të lojës, edhe me mungesën e fundit të Paul Pogba për shkak të dëmtimit. Van de Beek është më shumë një rezervë në mendjen e menaxherit Ole Gunnar Solskjaer për momentin. Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Solskjaer dhe Unitedi morën një ofertë nga një klub i pazbuluar jashtë Anglisë për van de Beek. Lëvizja do të kishte qenë një huazim gjashtë mujor, por Unitedi refuzoi marrëveshjen dhe donte ta mbante lojtarin.