Gomez larg Milanit
E ardhmja e Gustavo Gomez parashikohet të jetë larg Milanit, pavarësisht se kontrata e mbrojtësit skadon në vitin 2021. 24-vjeçari nuk bën pjesë në planet e trajnerit Montella dhe emri i tij është i pari në listën e largimeve gjatë merkatos së Janarit. Sipas mediave italiane, për paraguaianin nuk mungojnë ofertat dhe me shumë mundësi e ardhmja e tij do të jetë në Turqi, pasi skuadra e Fenerbaçes ka kohë që e ndjek futbollistin. Drejtuesit e klubit nga Stambolli gjatë muajit dhjetorit do t’i paraqesin kuqezinjve ofertën e parë për shërbimet e futbollistit.
Benevento me trajner të ri
Benevento ka vendosur një rekord absolut në Serinë A, duke mos arritur të marrë asnjë pikë, në 9 javët e para të luajtura. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë vendosur të largojnë nga bankina, trajnerin Marko Baroni, për t’ia besuar stolin një tjetër tekniku. Bëhet fjalë për Roberto De Zerbin, që ka drejtuar për 3 muaj Palermon, vitin e kaluar. Te Benevento luajnë edhe dy futbollistët e kombëtares shqiptare, Mesfushori Ledian Memushaj dhe mbrojtësi, Berat Gjimshiti.
“Puma” mbush arkën e Milanit
Milani zyrtarizoi fundin e bashkëpunimit me sponsorin teknik “Adidas”, me firmën prestigjioze gjermane që siguronte prej 20 vitesh uniformat e kuqezinjve. 19.7 milionë euro ka përfituar Milani nga kjo kontratë afatgjatë, por, duke nisur që nga sezoni i ardhshëm, “Djalli” do të vishet me Puma, për 10-15 milionë euro në sezon. Marrëveshja nuk është bërë ende zyrtare, madje në njoftimin për shtyp në faqen e Milanit thuhet se nga 1 korriku klubi italian do të ketë një sponsor të ri teknik, me detajet që do të zbulohen muajt e ardhshëm. Gjatë 20 viteve të bashkëpunimit me “Adidas”, Milani ka arritur suksese të rëndësishme, duke fituar në total 12 trofe: 3 tituj të Serisë A, 2 Çampions, 2 Superkupa të Evropës, 1 Botëror për Klube, 3 Superkupa dhe 1 Kupë të Italisë.
Kasillas largohet nga Porto
Iker Kasillas do të largohet nga Porto, gjatë afatit kalimtar të janarit. E përditshmja portugeze “A Bola” raporton se portieri spanjoll është i gatshëm të gjejë një skuadër të re. Kasillas është përplasur me trajnerin Sergjo Konseisao i cili e ka lënë jashtë formacionit bazë në dy ndeshjet e fundit. Andaj, çështja do të zgjidhet vetëm me largimin e ish kapitenit të Real Madridit në fillim të vitit 2018.
Goretzka vazhdon të kërkohet nga Barcelona
Barcelona ka ringjallur interesimin për transferimin e mesfushorit të Shalkes, Leon Goretzka. “Mundo Deportivo“ ka njoftuar se një përfaqësues i klubit katalan ishte prezent në ndeshjen kundër Mainzit në Bundesligë për ta ndjekur paraqitjen e tij. Goretzka ka hyrë në vitin e fundit të kontratës në Shalke. Ai kërkohet edhe nga klube të ndryshme evropiane por Barcelona konsiderohet si favorite për blerjen e tij në janar.