Lajme shkurt nga futbolli

24

Katër skuadra të mëdha evropiane pas Dembeles

Ousmane Dembele mund të largohet nga Barcelona. Sulmuesi i krahut nuk ka arritur të gjej veten te skuadra spanjolle. Kontrata aktuale e francezit skadon në vitin 2022. Por sipas mediave spanjolle për lojtarin interesim kanë shprehur skuadra të njohura evropiane. Manchester Unitedi, Chelsea, Juventusi dhe Bayern Munichu, janë duke e monitoruar situatën e Dembeles te Barcelona. Dembele këtë sezon me Barcelonën në të gjitha garat ka shënuar gjashtë gola dhe tri asistime.

Roma dhe Chelsea interesohen për Allegrin

Massimiliano Allegri është i gatshëm të marrë drejtimin e ndonjë skuadre. Ish-trajneri i Juventusit është i hapur për t’u rikthyer në pozitën e trajnerit. Sipas mediave italiane, Allegri është në pritje të ofertave nga skuadrat Chelsea dhe Roma. Të dy skuadrat janë të pakënaqura me trajnerët aktualë Frank Lampard dhe Paulo Fonseca. Allegri është i papunë që nga vera e vitit 2019, kur u largua nga Juventusi. Ai gjatë karrierës së tij ka udhëhequr edhe Milanin.

Varane kërkon të largohet nga Real Madridi

Raphael Varane thuhet se dëshiron të largohet nga Real Madridi në fund të këtij sezoni. Mbrojtësi francez thuhet se ua ka bërë të ditur drejtuesve të klubit madrilen se dëshiron të provojë një aventurë të re në një kampionat tjetër. Varane është titullar i padiskutueshëm në formacionin bazë të trajnerit Zinedine Zidane. Varane është pjesë e madrilenëve që nga viti 2011, kur u transferua nga Lensi. Ai ka bërë 353 paraqitje me “Mbretërit” duke arritur të fitojë edhe 18 trofe gjatë kësaj periudhe me klubin spanjoll. Ai ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2022.

Koulibaly mbetet në krye të dëshirave për trajnerin Solskjaer

Mbrojtësi i Napolit, Kalidou Koulibaly, mbetet prioritet për trajnerin e MAnchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, shkruan gazeta spanjolle “Marca”. Trajneri norvegjez tash e një kohë të gjatë e dëshiron 29-vjeçarin e qendërmbrojtjes. Gjiganti i Premier Leagues angleze do të tentojë ta transferojë atë deri në fund të këtij viti, pasi i nevojitet përforcim në mbrojtje. Unitedi deri tani nuk ka arritur ta bindë Napolin për t’i ndarë rrugët me Koulibalyn. Kundër shitjes së tij është edhe trajneri Gennaro Gattuso, që i vlerëson lartë paraqitjet e tij në fushë.

Sturaro transferohet te Verona

Verona ka njoftuar se ka marrë shërbimet e mesfushorit Stefano Sturaro nga Genoa, teksa transferimi është bërë mbi bazën e huazimit me të drejtë blerjeje në fund të sezonit, ndërsa 27-vjeçari është vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Ivan Juriç. I rritur te Genoa, Sturaro arriti të veshë për disa sezone edhe fanellën e Juventusit, ndërsa në verën e 2019-ës u rikthye në klubin ligur për të qëndruar gjatë, por paraqitja e tij ka ardhur në rënie dhe ka humbur vendin e titullarit. Nga kjo situatë ka përfituar Verona, që e ka marrë në huazim, me shpresën se gjatë muajve të ardhshëm do të arrijë ta rilindë dhe ta rikthejë në nivele të larta mesfushorin, para se të blejë përfundimisht kartonin e tij.

Vasquez refuzon rinovimin

Mesfushori i Real Madrid, Lucas Vasquez, nuk ka pranuar të rinovojë kontratën me madrilenët. Sipas raportimit të “Cadena SER”, oferta është bërë nga klubi madrilen, por është refuzuar nga lojtari. Reali i ka ofruar Vasquezit një kontratë të re 3-vjeçare dhe paga nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Fillimisht, 29-vjeçari mësohet se kërkon rritje page. Por, arsyeja kryesore është se ai është ndjerë jo mirë në merkaton e verës së kaluar, kur klubi e vendosi atë në shitje

Benitez ndahet me Dalian, Covid-19 shkaku

Rafael Benitez i jep fund aventurës kineze. Trajneri i njohur spanjoll, mori drejtimin e Dalian Professional korrikun e vitit 2019, ekip që e drejtoi deri ditën e sotme. “Ishte një eksperiencë e mrekullueshme, por Covid-19 ndryshoi jetët dhe planet tona. Dua të falënderoj klubin dhe lojtarët për angazhimin e tyre. E morëm së bashku këtë vendim për të mbështetur familjet tona. Ju përshëndes i trishtuar, por e di që Dalian e pret një e ardhme e ndritur“, deklaroi Benitez.