Mbappe i interesuar të kalojë në Anfield
Sipas asaj që raporton Le Parisien, Kylina Mbappe është i interesuar që të kalojë te Liverpooli në verën e ardhshme. Sulmuesi francez i ka bërë të ditur Paris Saint-Germainit se nuk do të vazhdojë kontratën dhe dëshiron të largohet në drejtim të një aventure të re. Mediumi francez bën të ditur se 21-vjeçari është një admirues i madh i stilit të lojës së Jurgen Kloppit. Por, edhe trajneri gjerman nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën e tij për të transferuar Mbappe në Anfield Road. Liverpooli planifikon të përfshijë së paku dy lojtarë dhe 200 milionë euro për të realizuar transferimin e francezit
Arsenal – Juventus, dueli për Aouar kthehet në janar
Edhe pse presidenti Aulas e quajti të pashitshëm, largimi i Houssem Aouar nga Lyoni vetëm sa u shty për në janar. Talenti 22-vjeçar ishte pranë kalimit tek Arsenali e më pas u fut në garë edhe Juventusi, duke nisur një betejë që për momentin nuk ka fitues, por që pritet të rinisë në mesin e sezonit. 60 milionë euro është çmimi që ka përcaktuar Lyoni për fantazistin francez dhe të dyja klubet po bëjnë gati planin financiar për të arritur te akordi i shumëpritur.
Jones drejt largimit nga “Djajtë e Kuq”
Phil Jones do të ndjekë hapat e Smalling për t’u larguar përfundimisht nga Manchester United. Mbrojtësi 28-vjeçar, i cili verën e kaluar rinovoi në mënyrë surprizë kontratën deri në vitin 2023, nuk merret në konsideratë nga Ole Gunnar Solskjaer ndaj dhe në janar do të kërkojë të nisë një aventurë të re. Pengesa kryesore për një transferim të tij mbetet pretendimi i lartë i “Djajve të Kuq” për kartonin e tij, që vlen sipas tyre 20 milionë stërlina. Një shumë të tillë vështirë ta paguajnë klubet angleze ndaj dhe një formulë e mundshme mbetet ajo e huazimit me të drejtë blerjeje.
Napoli kërkon një mbrojtës
Pavarësisht situatës së sulmuesit polak, Milik, Napoli pritet të bëjë një goditje në janar në repartin e mbrojtjes, konkretisht në krahun e majtë. Fillimisht u mendua për Asamoah, që është pa kontratë, por drejtori sportiv, Giuntoli, pëlqen Dimitrios Giannoulis të PAOK-ut. 25-vjeçari vlerësohet rreth 7-8 milionë euro nga klubi grek, ndërsa në listën e kandidatëve është edhe Emerson Palmieri. Për këtë të fundit operacioni është më i vështirë pasi Chelsea nuk pranon oferta për huazim e për më tepër konkurrenca është më e fortë.