Arsenali ofron 48 milionë euro për Aouarin
Arsenali po kërkon t’i bëjë edhe dy përforcime deri në mbylljen e afatit kalimtar. Sipas mediave angleze, synimi kryesor i londinezëve është transferimi i mesfushorit të Lyonit, Houssem Aouar. Skuadrës angleze i është refuzuar oferta prej 32 milionë eurosh për mesfushorin nga krerët e klubit francez. “Topçinjtë” thuhet se kanë përgatitur ofertën e re prej 48 milionë eurove për mesfushorin. 22-vjeçari ka kontratë me Lyonin deri në vitin 2023.
Benteke në plane të Tottenhamit
Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, ka kërkuar një sulmues për ta zëvendësuar Harry Kanen në rast të lëndimit. Së fundi, klubi anglez ka shprehur interesim për sulmuesin Christian Benteke. Belgu është pjesë e klubit Crystal Palace, ku nuk po gjen hapësira në formacionin bazë. Benteke është pjesë e Crystal Palacet që nga viti 2016, kur u transferua nga Liverpool.
Kariusi huazohet te Union Berlini
Portieri gjerman Loris Karius i është bashkuar në formë huazimi klubit të Bundesligës gjermane Union Berlin nga Liverpooli. Karius do të qëndrojë huazim te Unioni deri në fund të stinorit. Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të klubit gjerman. Karius në dy edicionet e fundit ishte i huazuar te Beshiktashi, ku luajti 67 ndeshje gjatë dy stinorëve atje.
Unitedi e Evertoni në garë për Milikun
Manchester Unitedi dhe Evertoni i janë bashkuar garës për transferimin e sulmuesit polak të Napolit, Arkadiusz Milik, raporton “Daily Express”. Për Milikun është duke u interesuar edhe Tottenhami. Tottenhami është parë si favorit për transferimin e Milikut, por në garë janë futur tash edhe Unitedi e Evertoni. Për Milikun kishte treguar interesim më herët Roma. Milik është duke refuzuar ta firmosë kontratën e re me Napolin. Kontrata e tij është e vlefshme deri në verën e vitit të ardhshëm.
Valencia favorite për Ruganin
Valencia është favorite në garën për transferimin e mbrojtësit italian të Juventusit, Daniele Rugani, njofton “Cadena Cope”. Rugani po kërkohet edhe nga West Ham Unitedi, Fulhami, Rennesi dhe Sevilla, por Valencia pritet ta fitojë garën për transferimin e tij. Mësohet se Rugani dhe Juan Foythi i Tottenhamit do t’i bashkohen Valencias në ditën e fundit të afatit kalimtar.