Reali duhet të vendosë për Mayoralin
Situatë e paqartë për të ardhmen e Borja Mayoral, që vijon të mbetet jashtë planeve të Zinedine Zidane. Nga ana tjetër, sulmuesi ka disa oferta konkrete nga Valencia, Lazio, Fiorentina dhe Olimpique Marseille, por drejtuesit “merengues” hezitojnë ta shesin, pasi i tremben rritjes së lojtarit në një skuadër tjetër. Mayoral nga 1 janari i ardhshëm mund të negociojë me çdo ekip, pasi i skadon kontrata në qershor. Nuk përjashtohet rinovimi i saj, pasi dëshiron të tregojë vlerat me Real Madridin, megjithatë gjithçka mbetet ende e hapur.
Chelsea e blen portierin senegalez nga
Chelsea e ka blerë portierin e Rennes, Edouard Mendy, nga Rennes. Përfaqësuesi i Senegalit i bëri 25 paraqitje në Ligue 1 me Rennes, të cilit iu bashkua në vitin 2019. Mendy ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Chelsean. Ai i kompletoi testet mjekësore të martën dhe nënshkroi sot marrëveshje me gjigantin e Premierligës. Trajneri i Chelseat Frank Lampard tha ditë më parë se Mendy vjen për t’i bërë konkurrencë portierin Kepa Arrizabalaga, i cili është blerja rekorde e të kaltërve. “Jam shumë i ngazëllyer që i jam bashkuar Chelseat. E kisha ëndërr t’i bashkohesha një klubi me ekip fantastik si ky”, tha Mendy.
Lazio rikthen mbrojtësin holandez
Lazio ka arritur marrëveshjen me Southamptonin, për të rikthyer te bardhekaltrit mbrojtësin holandez Wesley Hoedt, i cili ka qenë pjesë e kryeqytetasve edhe në periudhën 2015-2017. Mbrojtësi 26-vjeçar ka kaluar një periudhë të errët në karrierën e tij, që kur la bardhekaltrit tre vite më parë dhe tani do të synojë ringritjen pikërisht nga kryeqyteti italian dhe me fanellën e klubit ku ka kaluar kohët më të mira si futbollist. Marrëveshja e Lazios me Southampton është arritur mbi bazën e një huazimi më të drejtë blerjeje për shifrën e 5 milionë eurove, ndërsa kjo është një tjetër fitore e Igli Tares, që e shiti holandezin para 3 sezonesh për 17 milionë euro. Wesley Hoedt iu bashkua Lazios kur ishte vetëm 21 vjeç dhe u shndërrua në një titullar, aq sa në sezonet 2015-2017 luajti plot 61 ndeshje dhe arriti të shënojë edhe 4 gola.
Draxler në shitje, Bayerni kërkon të përfitojë
Paris Saint Germain ka nevojë për disa shitje që të bëjë një goditje të madhe në merkato. Drejtuesit duan të sakrifikojnë Julian Draxler e më pas të bëjnë blerje, por fantazisti gjerman nuk ka ndërmend të lëvizë, edhe pse interesimi për të nuk mungon. Bayern i Mynihut dëshiron të afrojë 27-vjeçarin, që ka vetëm një vit kontratë të mbetur, por kërkesa e parizienëve është të paktën 25 milionë euro. Bavarezët nuk duan të shpenzojnë kaq shumë për një lojtar që vitin tjetër mund ta marrin falas, ndaj vetëm në ditët e fundit të merkatos mund të arrihet në një akord që kënaq të gjitha palët.