Njukasëll me pronarë turq?
Njukasëll pritet të ketë së shpejti pronarët e rinj. Miliarderi turk, Murat Ulker, i cili zotëron firmën e famshme të Biskotave “McVitie’s”, është i gatshëm të paguajë 220 milionë sterlina për të blerë klubin anglez nga Majk Ashlej, i cili para pak kohësh nxori në shitje Njukasëll Junajted. Për momentin 58-vjeçari është i vetmi kandidat që ka shprehur hapur interesin për të blerë Njukasëllin.
Reali në kërkim të një mbrojtësi
Reali i Madridit do të ndërhyjë në merkato për të gjetur një mbrojtës. Jesus Vallejo nuk po bind as trajnerin Zinedin Zidan dhe as drejtuesit madrilenë. Për këtë motiv, mbrojtësi 20-vjeçar, i rritur te ekipi i të rinjve të Real Saragoza, nuk ka debutuar ende me fanellën “Los Blancos”. “Galaktikët” po mendojnë të afrojnë një lojtar me eksperiencë, dhe do të jenë aktiv që në sesionin dimëror të merkatos.
Llorente mendon rikthimin në Itali
Në të ardhmen, Fernando Llorenten mund ta shohim sërish të veshë fanellën e një skaudrë italiane. Në një intervistë të dhënë, sulmuesi i Totenhemit nuk i mbylli dyert për një rikthim në Serinë A. Spanjolli i cili ka luajtur me Juventusin ,deklaroi se në Itali ka qenë shumë i lumtur dhe ka ende miqësi më shumë lojtarë atje. Llorente theksoi se në të ardhmes nuk i dihet asnjëherë, por për momentin është i lumtur me futbollin anglez.
Kaljari zgjedh Diego Lopezin
Pritej njëri mes Massimo Oddos dhe Xhuzeppe Iakinit por Kaljari do të drejtohet nga Diego Lopez. Presidenti i klubit sard Giulini pas shkarkimit të Massimo Rastellit ka vendosur t’ia besojë skuadrën uruguaianit Diego Lopez duke surprizuar në një farë mënyre. Trajneri amerikano-jugor ka firmosur me Kaljarin deri në fund të këtij sezoni dhe do të ketë si objektiv kryesor të shpëtojë skuadrën nga Sardegna nga rënia në Serie B. Për Diego Lopez bëhet fjalë për një rikthim pasi ai e ka drejtuar edhe në të kaluarën Kaljarin.
Hungaria mbetet pa trajner
Përfundimi i eliminatoreve të botërorit ‘Rusi 2018’, ka sjellë edhe shkarkimin e disa trajnerëve në kombëtaret që nuk arritën objektivin e kualifikimit. Më e fundit është Hungaria, që ka vendosur të ndërpresë marrëdhënien e bashkëpunimit me trajnerin 54 vjeçar, Berndt Shtork. Lajmi u bë i ditur nga vetë Federata Hungareze e Futbollit, nëpërmjet një komunikate, ku thekson se shkaku i ndërprerjes së bashkëpunimit është mos-arritja e kualifikimit në botëror. Hungaria ishte në grup me Portugalinë dhe Zvicrën, ndërsa zyrtarisht e humbi betejën për kualifikim që në takimet e muajit shtator, ndërsa e mbyllën edicionin në vendin e tretë, me 13 pikë.