Bayerni transferon yllin e Ajaxit?
Talentin e gjigandit holandez, Ajax, lojtarin Sergino Dest, e ka blerë skuadra gjermane Bayern Munchen. Mbrojtësi i djathtë holandez, që shkëlqeu me Ajax-in sezonin e fundit, ishte dëshirë e ekipeve tjera të Evropës, mes tyre Manchester City dhe Barcelonës, por më e shkathët në transferimin e tij, u tregua skuadra bavareze. Sipas portalit holandez, “AD.nl”, Bayern ka arritur marrëveshje me Ajax-in për transferimin e lojtarit në Gjermani, për shifrën e 25 milionë eurove.
Tottenhami nis bisedimet për Skriniarin
Tottenham Hotspur ka kërkuar informacion për mbrojtësin e Interit, Milan Skriniar – bën të ditur Sky Sport Italia. Sipas mediumit të njohur, Nerazzurrët e kanë njoftuar klubin anglez se çmimi i lojtari është 60 milionë euro. Skriniar nuk përshtatet në sistemin e Antonio Contes me tre mbrojtës, prandaj nuk ka qenë ndër përzgjedhjet e para të trajnerit në fazën defensive. Gazetarët Fabrizio Romano dhe Gianluca Di Marzio pohojnë se dy klubet i kanë nisur bisedimet fillestare, mirëpo janë në fazat e hershme të negociatave. Interi do 60 milionë euro për sllovakun 25 vjeçar dhe nuk dëshiron ndonjë shkëmbime eventual me Tanguy Ndombele.
Wijnaldum e do kalimin te Barcelona
Georginio Wijnaldum e dëshiron me ngulm kalimin te Barcelona në këtë afat kalimtar. Mesfushori holandez është duke u kërkuar nga Ronald Koemani, për të përforcuar mesfushën e Blaugranasve. Sipas asaj që raporton Football Insider, Liverpooli i ka ofruar kontratë të re lojtarit, mirëpo ky i fundit e ka refuzuar atë. Kontrata aktuale e Wijnaldum me The Reds skadon në qershorin e vitit të ardhshëm, andaj klubi anglez rrezikon të humbë me parametra zero. Holandezi dëshiron t’i bashkohet Barcelonës, derisa vlera aktuale e tij në tregun e transferimeve është 40 milionë euro. Jurgen Klopp mund të pajtohet me shitjen e tij, pasi tashmë ka transferuar Thiago Alcantaran nga Bayern Munichu.
Milani e do mbrojtësin e Schalkes
Milani ka shfaqur interesim për qendërmbrojtësin e Schalkes, Matija Nastasic, sipas Calcio Mercato. Kuqezinjtë e dëshirojnë ta marrin 27-vjeçarin në huazim, por së pari u duhet ta largojnë mesfushorin e padëshiruar në klub, Lucas Paqueta, për të krijuar të hyra për marrëveshjen me klubin gjerman. Nastasic, i cili luajti për Manchester City para se të transferohej në Bundesligë, pati shumë telashe me lëndime sezonin e kaluar. Ai i bëri vetëm 16 paraqitje në Bundesligë për Schalken sezonin e kaluar.