Mandzukic aty ku askush s’e pritste
Mario Mandzukic thuhet se ka arritur akord me Lokomotivën e Moskës. Kroati ishte pa klub, që pas largimit nga skuadra nga katari dhe tani duket se do ta vazhdojë karrierën në Rusi. Lokomotiva e Moskës thuhet se ka arritur marrëveshje personale me sulmuesin. Mandzukic do firmosë një kontratë dy vjeçare me klubin rus ku do përfitojë 2.7 milionë euro në vit. Për 34-vjeçarin ishin të interesuar edhe skuadra nga Seria A.
Alegri gati t’i japë fund papunësisë
Masimiliano Alegri prej më shumë se një viti është i papunë, kur u largua nga drejtimi i kampionëve të Juventusit. Megjithatë duket se trajneri italian është gati t’i japë fund papunësisë, teksa pritet të marrë drejtimin e skuadrës së Serisë A. Bëhet fjalë për Romën, me presidentin e ri të verdhekuqve Dan Friedkin që ka projektuar ish-trajnerin e Milanit dhe Juves në krye të skuadrës. Presidenti amerikan që mori së fundmi në pronësinë e tij Romën, nuk është aspak i lumtur me trajnerin Fonskea dhe po mendon ta shkarkojë atë për të marrë Alegrin. Madje sipas asaj që raporton “Il Messaggero”, kontaktet e para mes Alegrit dhe presidentit të Romës kanë nisur.
Bakajoko, ultimatum Milanit
Me një postim në “Instagram” ku deklaronte se nuk ka kohë, Tiemue Bakajoko duket sikur i ka dhënë një ultimatum Milanit lidhur me transferimin e tij. Siç dihet, kuqezinjtë e ndjekin prej kohësh, por Çelsi vazhdon të mbajë lart murin e 30 milionë eurove që pretendon për kartonin e mesfushorit. Italianët, nga ana e tyre kërkojnë një huazim me të drejtë blerjeje në masën 20 milionë euro, me diferencën që vijon të mbajë ende larg palët nga akordi. Në vonesat në bisedime, duket se po ndikon edhe fakti që drejtuesit e “Djallit” janë më të përqendruar tek afrimi i një qendërmbrojtësi, çka duket edhe nevoja më urgjente e deklaruar nga trajneri Stefano Pioli.
Blerja e Bale “largon” Dele Allin nga Tottenhami
Në shtëpinë e Tottenhamit po diskutohet bë vazhdimësi për Dele Allin, i cili tashmë është kthyer në çështje te Spurs-at, aq sa nuk përjashtohet largimi i futbollistit nga skuadra gjatë merkatos se verës. 24-vjeçari është përjashtuar nga grumbullimi i skuadrës për disa sfida dhe rikthimi i Bale në ekip mund të jetë një sinjal se e ardhmja e mesfushorit mund të jetë larg Tottenhamit. Pavarësisht situatës së krijuar, ofertat për lojtarin nuk mungojnë, pasi Real Madridi dhe Paris Saint Germain kanë shfaqur interes për të. Tani mbetet për t’u parë se cilat janë kërkesat financiare të anglezëve për të lënë të lirë futbollistin.