Juves i kushton miliona largimi i Higuain
Gonzalo Higuain është larguar zyrtarisht nga Juventusi. Juve zyrtarisht ka shkëputur kontratën me Gonzalo Higuain, që do të ketë efekt negativ pasi do t’ju kushtojë 18.3 milionë euro. Zonja e Vjetër pagoi 90 milionë euro për Higuain për ta marrë nga Napoli në vitin 2016. Ai tashmë ndodhet në Amerikë dhe sezonin tjetër do të luajë në MLS te skuadra e David Beckham, Inter Miami.
Tre klube të Bundesligës pas Perishiqit
Ivan Perishiq është rikthyer tek Interi pasi Bayern Munich nuk llogariti më në shërbimet e kroatit, përkundër që ai ishte pjesë e ekipit që e arriti tripletën. Megjithatë, interesim për të ka nga klubet e tjera gjermane. Raportohet se për shërbimet e tij kanë shprehur interesim Leipzigu, Hertha e Leverkuseni. Il Corriere dello Sport raporton se Interi është i gatshëm ta lë të lirë 31 vjeçarin për shumën prej 15 milionë euro. Perishiq ka kontratë me Interin deri në qershor të vitit 2022.
Perrotti afër Fenerbahçes
Diego Perotti do të transferohet në Turqi te skuadra e Fenerbahçes. Ai te skuadra turke pritet të prezantohet ditëve në vijim, pasi marrëveshja është arritur mes palëve. Për kartonin e Perottit, Fenerbahçe do t’i paguajë Romës 2.5 milionë euro dëmshpërblim. Perotti me ekipin e ri do të firmosë kontratë dyvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. 32-vjeçari, edicionin e shkuar ka realizuar gjashtë gola dhe ka bërë katër asistime në 26 ndeshje për Romën, ekip të cilit iu bashkua para katër vjetësh. Perotti që ka edhe pesë paraqitje me Argjentinën ka bërë karrierë edhe te Genoa, Sevilla e Boca Juniorsi.
Koulibaly te Parisi pothuajse e kryer
Paris Saint-Germaini pothuajse ka siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit Kalidou Koulibaly dhe transferimin e tij pritet ta kompletojë gjatë javës së ardhshme. “Tuttosport” ka raportuar se Napoli tashmë ka pranuar ofertën e ekipit francez, që për shërbimet e Koulibalyt i ka ofruar 60 milionë euro në total. Ndërkohë, qendërmbrojtësit senegalez i është ofruar kontratë pesëvjeçare.