Egjipti largon Kuperin pas Botërorit
Trajneri i Egjiptit, Hektor Kuper, do të largohet nga kombëtarja afrikane, pas fundit të kampionatit botëror. Lajmin e kanë bërë të ditur gazetarët egjiptianë të akredituar në Rusi. Federata Egjiptiane e Futbollit ka vendosur të mos e rinovojë bashkëpunimin me teknikun argjentinas, pas zhgënjimit në “Rusi 2018”, ku humbjet ndaj Uruguait dhe Egjiptit kanë sjellë eliminimin, pavarësisht nga rezultati i ndeshjes së fundit kundër Arabisë Saudite. Pikërisht ndeshja ndaj arabëve do të jetë e fundit për Kuperin si “timonier” i Sallah dhe shokëve të tij.
Brazili konfirmon dëmtimin e Nejmar
Nejmar ka ndjerë dhimbje në kaviljen e djathtë por do të stërvitet normalisht ditën e mërkurë pasi e la stërvitjen përgjysmë në prag të ndeshjes me Kosta Rikën. Shqetësimet për dëmtimin e Nejmar ishin të mëdha ditën e martë për shkak se ai u detyrua të largohej nga seanca pas vetëm 15 minutave. Dje erdhi konfirmimi i Federatës Braziliane dhe lajmi i mirë për tifozët: “Nejmar kishte dhimbje në kaviljen e djathtë, kjo është arsyeja pse ai ndërpreu stërvitjen. Për shkak të numrit të madh të faulleve të shkaktuar ndaj tij nga Zvicra, ai ka pësuar një dëmtim të vogël, por ai është rikthyer dje në stërvitje. Ai nuk është ekzaminuar nga mjekët. Ndjeu dhimbje dhe shkoi në fizioterapi, dje u stërvit normalisht”, thanë nga Federata.
Rekorde shikueshmërie për Kupën e Botës
Ndeshja e parë e Brazilit në “Rusi 2018” ka qenë evenimenti më i ndjekur në vendin amerikano-latin gjatë gjithë këtij viti kalendarik, sipas të dhënave të marrë nga vetë FIFA. Një total prej 55.89 milionë brazilianët kanë qenë përpara televizionit dhe në kanalin “Globo” kanë ndjekur barazimin 1-1 kundër Zvicrës. Ndërkohë, rekorde janë vënë edhe gjatë barazimit 3-3 ndaj Portugalisë dhe Spanjës, për të dyja këto vende. 2.8 milionë portugezë ndoqën ndeshjen në “RTP1”, shifër që nuk ishte regjistruar ndonjëherë në vitin 2018, ndërsa 9.27% të njerëzve në Spanjë që kishin ndezur televizorin e kishin te kanali “Teleinco”, që transmetonte ndeshjen. Edhe televizioni francez “TF1” mund të krenohet me rekordin e shikueshmërisë në vitin 2018, me 12.8 milionë njerëz që panë fitoren 2-1 të Francës ndaj Australisë.