Të gjithë pas Federico Chiesa
Të gjithë të çmendur pas Federico Chiesa. Listës që dëshirojnë “xhevahirin” e Fiorentina-s, i është shtuar edhe Inter-i. Luciano Spalletti është në kërkim të një sulmuesi të talentuar, i aftë për të goditur mirë si me të djathtën ashtu dhe me të majtën. Dhe mesa duket 19-vjeçari i vjollcëve i plotëson të gjitha kriteret e kërkuara nga trajneri toskan.
Andre Gomes në “radarin” Tottenham
Mauricio Pochettino kërkon një mesfushor me emër për të berë Tottenham-in edhe më shumë kompetitiv. Sipas “The Sun”, trajneri e ka gati emrin e tij të preferuar. Në “radarin” e “Spurs” është Andre Gomes i Barcelona-s, të cilin do ta tentojë ta marrë në merkaton e Janar-it. Një emër tjetër i pëlqyer nga Pochettino është edhe Barkley i Everton.
Milan dhe Suso shumë pranë rinovimi
Milan dhe Suso, siç raporton Tuttosport”, janë shumë pranë rinovimit të marrëveshjes ndërmjet tyre. Mungojnë vetëm detajet e fundit, para se spanjolli të firmosë kontratën e tij të re që do të skadojë në vitin 2021 ose në 2022-shin. Gjithashtu për lojtarin do të ketë përmirësim page, që tashmë pritet të fitojë 3 mln Euro neto në sezon.
Muller flet për të ardhmen
Në një intervistë të dhënë për “The Indipendent”, Thomas Muller foli për zërat rreth së ardhmes. Lojtari i Bayern Munich deklaroi se ndihet shumë mirë te bavarezët dhe se “Allianz Arena” është si shtëpia e tij e dytë. 28-vjeçari tha më tej se asnjëherë nuk ka ndryshuar fanellë, por gjithsesi nuk mund të flasë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, pasi është ende herët për ta bërë një gjë të tillë.