Isco rinovon kontratën me Realin e Madridit. Mesfushori 25-vjecar i cili ka shkëlqyer në muajt e fundit me Los Blancos duke u shndërruar në një lojtar shumë të rëndësishëm për skemat e trajnerit Zidane, do të vazhdojë aventurën e tij te klubi merengues. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, Isco ka zgjatur marrëveshjen që i skadonte në vitin 2018, deri në 30 Qershor të 2022-shit. Ndërkohë që Los Blancos në kontratën e re kanë përfshirë një klauzolë largimi që kap shifrën e cmendur të 700 milionë Eurove.
Në pamundësi për të firmosur me Philipe Coutinhon për të cilin Liverpooli ka dalë me një komunikatë zyrtare se nuk do të largohet nga Anfield Road, Barcelona po shikon sërish në ishull për të zëvendësuar brazilianin Neymar. Në radarët e Barcës ka përfunduar danezi i Tottenham Hotspur, Christian Eriksen. 25 vjecari pëlqehet shumë nga trajneri i katalanasve Ernesto Valverde për vetë cilësitë që zotëron, por do të jetë shumë e vështirë që Barcelona tia shkëpusë mesfushorin me tipare sulmuese, klubit londinez në këtë merkato.
Emër i ri për sulmin e Malagas. Klubi nga La Rosaleda po ndjek me vëmendje bomberin e kombëtares peruane, Paolo Guerrero. Ish lojtari i Bayern Munich, aktualisht është pjesë e Flamengos në Serinë A braziliane. Drejtuesit e Malagas shohin te Guerrero përforcimin ideal për sulmin, pasi 33-vjecari është një futbollist me një eksperiencë të madhe mbi supe dhe që shkon lehtësisht te goli.
Adrian Lopez rikthehet në Primera Division dhe pikërisht te skuadra ku ka luajtur për pjesën më të madhe të karrierës së tij. Sulmuesi 29-vjecar i cili në të kaluarën ka mbajtur veshur edhe fanellat e Atleticos së Madridit dhe Villarealit ka lënë përfundimisht Porton për tu rikthyer në La Liga te Deportivo La Coruna, klub me të cilin është aktivizuar nga viti 2006 deri në 2011-tën.