Shkup, 1 korrik – Më një video-promovuese interesante e ku mes tjerash dy të rinj tetovarë spikasin me shprehjen “Ku ka më mirë se në Shkëndijë”, tre herë kampionët e vendit kanë njoftuar vazhdimin e bashkëpunimit me dy lojtarë të rëndësishëm. Përkundër faktit se media të caktuara dhe opinioni tashmë një periudhë i paralajmëronin si pjesë e lloj lloj skuadrave tjera jashtë vendit, Besart Ibraimi dhe Armend Alimi mbeten pjesë e Shkëndijës së Tetovës edhe në të ardhmen.
“Ky klub dhe këta ngjyra më ngjallin pasion dhe ishte zemra ime ajo që solli vendimin për të firmosur kontratë të re. Për Shkëndijën dhe ‘Ballistët’ kam dashuri të zjartë, kështu që jam i lumtur që do të vazhdoj të djersis këtë fanellë. Ndjej ende etje për gola dhe besoj se bashkarisht na presin shumë suksese e trofe”, deklaroi Besart Ibraimi.
“Gjashtë vite fantastike me trofe e shumë suksese në skenën vendore dhe ndërkombëtare më lidhin shumë me Shkëndijën dhe Tetovën, kështu që aspak se kisha të vështirë për të zgjatur bashkëpunimin edhe për periudhën që pason. Tani kur kjo u zyrtarizua, kthejmë fokusin ka e ardhmja për të ndjekur të tjera suksese. Besoj se kjo skuadër se ka thënë fjalën e fundit dhe në të ardhmen na presin shumë gëzime”, shprehet Armend Alimi.
Kuqezinjtë tetovarë pasditen e sotme kanë komunikuar rinovimin e bashkëpunimit me dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të viteve të fundit, kur Shkëndija shkruante pjesët më të lavdishme të historisë së saj. Me kontrata të skaduar dhe duar të lira për të zgjedhur të ardhmen e tyre, Besart Ibraimi dhe Armend Alimi kanë vendosur mos ndryshojnë ambient, duke firmosur kontrata të reja dy vjeçare.
Mbajtja në përbërje të lojtarëve të kalibrit të Ibraimit e Alimit paraqet përforcimet më të mëdha të Shkëndijës në këtë merkato, pasi me ta në përbërje përfundimisht tetovarët mbesin kandidat kryesor për titullin e kampionit edhe në sezonin e ri.