Ish ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak pritet që këtë javë ta marrë pozitën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe Ballkanin Perëndimor.
Sipas një dokumenti të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, Lajçaku do të marrë postin e ri me 2 prill, për një periudhë një vjeçare, një ditë pasi ambasadorët e BE-së pritet të japin dritën e tyre të gjelbër për emërimin e tij.
Sipas dokumentit, detyra e parë e Lajçak është të arrijë “normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve” midis Serbisë dhe Kosovës.
Kjo duhet të bëhet përmes përfundimit të një “marrëveshjeje juridikisht detyruese që adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura midis palëve në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe duke kontribuar në stabilitetin rajonal”, thuhet në dokument.
Negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja u ndërprenë në vitin 2018 pasi Kosova vendosi një taksë 100 për qind për importet serbe.