Prishtinë, 1 mars – Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë Mirosllav Lajçak arriti sonte në një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u prit nga lideri i partisë Lëvizja Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, i cili pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Siç njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Prishtina, pas takimit në selinë e VV-së, i cili zgjati pak më shumë se një orë, Lajçak u largua pa dhënë deklaratë për media.
Kurti iu drejtua gazetarëve pak më vonë, duke thënë se edhe pas këtij takimi, dialogu me Serbinë nuk është ndër përparësitë kryesore të qeverisë së ardhshme që ai do të formojë.
“Më informoi për procesin e dialogut në përgjithësi. Unë e kam bërë të qartë edhe një herë se ne kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë për drejtësi dhe punësim, dhe që jemi në kushte të pandemisë të Kovid-19 dhe se nuk jemi kundër dialogut, por ne duam që ai të jetë parimor dhe i përgatitur mire”, deklaroi Kurti.
Në vazhdim të vizitës në Kosovë, ndërmjetësuesi i BE-së për Ballkanin Perëndimor do të ketë një takim nesër në mëngjes me u.d presidenten dhe kryetaren e tanishme të Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin.
Pas qëndrimit të tij në Prishtinë, Lajçak do të udhëtojë për në Beograd të mërkurën, më 3 mars, ku, ndër të tjera, ai është planifikuar të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Ditën tjetër ai do të udhëtojë për në Malin e Zi, ku një ditë më vonë, të premten, do të përfundoj mini-turneu i tij në tre vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas kumtesës nga Zyra e BE-së në Prishtinë, Lajçak ka në plan të takohet me liderët politikë të tre partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në këto vende.