Kryetarja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Kristin Lagard, sot në Parlamentin Evropian deklaroi se nuk është e bindur se inflacioni ka arritur kulmin pas tejkalimit të niveleve më të larta të regjistruara në eurozonë.
Lagardi, gjithashtu, u kumtoi deputetëve evropianë se BQE nuk ka mbaruar me rritjen e normave të interesit me qëllim që të zbuten efektet e rritjes së çmimeve.
Sipas saj, ka shumë pasiguri që të dihet nëse inflacioni, i cili në tetor ishte 10.6 për qind në tetor, së shpejti do të bjerë në 19 vendet të cilat e përdorin euron.
Kur do të shihet se çfarë i rrit çmimet, “pa dallim nëse bëhet fjalë për ushqim apo prodhime për konsum të gjerë apo energji, nuk i shohim komponentët ose drejtimin që do të më detyronte të besoj se e kemi arritur kulmin e lëvizjeve inflacioniste dhe se inflacioni së shpejti do të zvogëlohet”, tha Lagard.
Kjo, sipas saj, do të thotë se BQE “do të vazhdojë ta zbusë inflacionin me të gjitha mjetet me të cilat i ka në dispozicion”, para së gjithash duke e rritur normën e interesit, shtoi ajo në fjalimin e saj në Komitetit për Çështje Ekonomike dhe Monetare në Parlamentin Evropian.
Bankat qendrore rrezikojnë t’i shtynë ekonomitë kombëtare në recesion derisa bota po përballet me një krizë energjetike, rritje të çmimeve të ushqimit dhe dobësim të valutave ndaj dollarit.