Modeli luksoz i Ferrarit LaFerari Aperta është shitur në ankand për 10 milionë dollarë. Shtëpia e ankandit RM Sotheby’s mbajti ankandin publik të shitjes në kompleksin e fabrikës së Ferrarit në Itali, në të cilin u shit modeli luksoz i cili ende nuk është montuar. Në ankand morën pjesë 12 blerës “të flaktë” ndërsa pronari i ri për këtë LaFerrari Aperta ka paguar 10 milionë dollarë. Menaxhmenti i Ferrarit shprehu kënaqësi me shitjen që arriti dyfishin e çmimit të vlerës së parashikuar fillimisht të makinës. Ankandi u organizua me rastin e 70 vjetorit të Ferrarit me ç’rast u thye rekordi botëror pasi LaFerrari Aperta u bë makina më e shtrenjtë e shitur në shekullin 21. Gjithsej janë prodhuar 210 modelë luksoz të LaFerrari Aperta ndërsa pronari i paemërtuar bleu modelin e fundit që është ende në fazën e montimit. Kompania Ferrari shumën e përgjithshme prej 10 milionë dollarësh do ta dhurojë për organizatën humanitare “Save the Children”.