Një kafeteri vetëm për gratë. Mund të tingëllojë e pazakontë, por në Istog është hapur lokali i cili është në shërbim vetëm për gra. “Lady Latter” është një bashkim i forcave të dy grave të cilat e hapën këtë lokal unik.
LaVonne Ramella dhe Serbeze Bujupaj, që nga korriku i vitit të kaluar filluan punën, duke u ofruar qytetarëve të Komunës së Istogut diçka që më parë nuk e kishin.
Qëkur kishte ardhur në Kosovë, LaVonne Ramella ka dashur të investojë, por gjithmonë kishte insistuar që ky investim të ishte e veçantë. Por, ajo shprehet se në Kosovë nuk e ka pasur të lehtë të mbajë biznes.
LaVonne Ramella, e cila ka zgjedhur Kosovën për të jetuar, tregon se jetesa këtu i pëlqen shumë. Ideja për të hapur një lokal të tillë, ka lindur nga shoqja e saj në Kosovë e cila e kishte pasur këtë dëshirë prej shumë vjetësh. Pronaret shprehen të kënaqura me punën që kanë dhe se lokali i tyre frekuentohet nga mosha të ndryshme. Veçori tjetër e këtij lokali është se ato që shërbehen, përgatiten nga vetë pronaret. Ato shpresojnë që puna të vazhdojë sa më gjatë. LaVonne Ramella thotë se ka dëshirë të madhe të dëgjojë që gratë në Kosovë po hapin më shumë biznese.
Serbeze Bujupaj është bashkëpronarja tjetër e lokalit, e cila ka realizuar ëndrrën e saj. Ajo tregon se shumë shpesh ka shprehur dëshirën për të hapur diçka të tillë.
Në fillim, njerëzit komentonin arsyen pse lokali është vetëm për gra, ndërsa pronaret thonë se ato nuk kanë pasur qëllim të bëjnë ndonjë formë të diskriminimit gjinor, por thjesht kanë dashur të jenë unike. Madje, shprehen se rrethi e ka pritur shumë mirë këtë lokal. Këtu bëhen edhe organizime të ditëlindjeve e festave të tjera, ndërsa Serbezja tregon se ka pasur mysafirë edhe nga shtetet e huaja. Ajo shprehet e kënaqur me punën e lokalit, me gjithë vështirësitë, ndërsa shpreson edhe se do ta zgjerojë. Ajo ka edhe një mesazh për të gjitha gratë që kanë ide për biznes, që të kenë guxim, sepse mund t’ia dalin.