Performancat e shkëlqyera që bëri në këtë sezon të kampionatit italian arritën kulmin me finalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit. Strakosha ishte më i miri për ekipin e Lacios, por kjo nuk mjaftoi për t’i dhënë trofeun skuadrës së tij.
Një vit më parë ishte portieri i katërt i Lacios, sepse përballë kishte Marketin, Berishën dhe Vargiçin, por tani e sheh veten i pari në hierarkinë e Lacios. Me Marketin e dëmtuar dhe Berishën e larguar, Tomasi arriti të kapte vendin e titullarit duke e mbajtur fort falë performancave të mira dhe elozheve nga mediat italiane. Inzagi e njihte mirë, sepse kishte punuar me të tek të rinjtë dhe kjo e ndihmoi shumë shqiptarin.
“Gazzetta Dello Sport” shkruan se drejtuesit e Lacios dhe portieri kanë gjetur gjuhën e përbashkët për rinovimin e kontratës, e cila skadon në fundin e këtij sezoni. Strakosha do të vazhdojë të qëndrojë në kryeqytetin italian edhe për pesë vitet e ardhshme dhe paga e tij me mundësi do të dyfishohet.