Laura PAPRANIKU
Shkup, 13 janar – Investimet e shumta që janë bërë gjashtë viteve të kaluara për pajisjen e universiteteve dhe instituteve me laboratorë kërkimi nuk japin mundësi edhe aq të gjëra për shfrytëzimin maksimal të atyre pajisjeve me qëllim të zhvillimit të kërkimit shkencor. Madje, edhe zyrtarisht konfirmohet që jo të gjitha laboratorët mund të jenë në përdorim masiv, pasi një profesor apo një grup hulumtuesish nga një universitet i caktuar qe të mund të përdorin laboratorin e një universiteti apo instituti tjetër, duhet që i njëjti të jetë i akredituar. Në listën e laboratorëve të akredituar në Maqedoni figurojnë vetëm 18 të tillë. Lista mund të verifikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ku jepen të dhëna për numrin e laboratorëve të akredituar, datën akreditimit dhe institucionit që posedon me atë laborator. Ajo që bie në sy është se pjesa dërmuese e këtyre laboratorëve është në Shkup. Konkretisht, Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip kanë vetëm nga një laborator të akredituar. Gjithë të tjerët, ose 16 janë në Shkup edhe atë 14 në Universitetin “Kirili dhe Metodi”, një në Klinikën Universitare të Sëmundjeve të Fëmijëve dhe një në Qendrën Hulumtuese për Inxhinieri Gjenetike dhe Bioteknologji. Ajo që, sipas shumë studiuesve mund të ishte bërë shumë më mirë në realizmin e projektit për pajisjen e universiteteve dhe instituteve me laboartorë shkencor, do të ishte themelimi i një Qendre Analitike Shkencore ku do të ishin koncentruar të gjitha laboratorët. Në shembullin e shteteve tjera, kjo qendër do të vendosej në kryeqytet, në Shkup. Aktualisht, edhe pa këtë Qendër pjesa dërmuese e laboratorëve janë në Shkup, vetëm se të shpërndara në fakultete dhe institute të ndryshme të cilat janë pjesë e Universitetit “Kirili dhe Metodi”. Për pasjen e universiteteve me laboratorë dhe pajisje të sofistikuara hulumtimi janë shpenzuar deri tani 30.000.000 euro. Në periudhën e viteve 2010-2011, në kuadër të këtij projekti, në UT janë dërguar katër laboratorë edhe atë për nevojat e shkencave të ndërtimtarisë, kimisë, fizikës dhe laboratorë multilinguale. Vlera e tyre llogaritet të jetë 800.000 euro për të katër laboratorët, ndërkaq i akredituar është vetëm Laboratori për testimin e materialeve ndërtuese me konstruksione gjeomekanike dhe ndërtuese. Nuk janë të rralla as rastet kur pajisjet e caktuara të kërkimeve shkencore dhe pjesë të laboratorëve për hulumtime shkencore janë vendosur në institucione ku mungon kuadri i aftësuar të punojë me ato mjete. Për shembull, me Elektroskopin elektronik, i cili i është dërguar Universitetit të Shtipit – menaxhon një tekniciente e informatikës. Për shkak të modelit të shpërndarjes së laboratorëve, për të bërë një matje me këtë elektroskop (në rastin konkret) fizikanët nga e gjithë Maqedonia duhet të udhëtojnë drejt Shtipit, që është një absurditet në vete.