Rreth 160 tonë domate u ngarkuan të martën në gjashtë kamionë që iu drejtuan Bunolit, ku të mërkurën u mbajt beteja e përvitshme me domate. Festivali “La Tomatina” është një luftë e vërtetë me domate, që mbahet në qytezën e vogël, pak kilometra larg Valencias. Edhe pse Bunoli ka relativisht një popullatë të vogël, më shumë se 22 mijë vetë morën pjesë në festival, në atë që konsiderohet si beteja më e famshme në botë. “Gjatë asaj ore mund të çlirosh të gjithë adrenalinën tënde dhe stresin e akumuluar gjatë vitit. Disa persona largohen pas vetëm 20 minutash, pasi ndiejnë menjëherë çlirim. Gjatë një orë, njerëzit lënë të lira ndjenjat e tyre”, tha Pedro Valles, banor. Pavarësisht sulmeve në Barcelonë në mesin e gushtit, sipas policisë lokale, masat e sigurisë do të jenë të njëjta si një vit më parë. Në orën 11:00, një e shtënë pistolete sinjalizoi fillimin e “La Tomatina”-s dhe gjatë gjithë orëve në vijim, 6 kamionë të mbushur me domate ecnin përgjatë rrugës qendrore të Bunolit, duke ofruar “municione” për të gjithë. Rreth 160 mijë kg domate u ndanë mes 22 mijë vizitorëve, duke i dhënë pak a shumë 70 domate çdo pjesëmarrësi. Për më shumë, ju ftojmë të shihni fotot më poshtë: