Kyriakides: Në disa vende gjendja me Kovid-19 tejet e rëndë

15
Gjendja me virusin Korona në disa shtete të Bashkimi Evropian është me e keqe sesa ishte në pikun e marsit. Kështu ka deklaruar eurokomisionerja për shëndetësinë, Stella Kyriakides, e cila shprehu shqetësim të madh lidhur me mënyrën se si po menaxhohet pandemia.
“Heqja e masave kufizuese në fillim të verës ka çuar në atë që e kemi paralajmëruar vazhdimisht: një rritje e rasteve me koronavirus. Në disa vende anëtare situata është më e keqe sesa gjatë pikut në mars. Kjo është vërtet arsye për t’u shqetësuar.”,– deklaroi komisionerja për shëndetësi e BE-së, Stella Kyriakides.
Sipas saj, masat e ndërmarra thjesht nuk ishin mjaftueshëm efektive ose nuk u zbatuan siç duhet, prandaj është e qartë se kjo krizë nuk është pas nesh. Ky mund të jetë shansi ynë i fundit për të parandaluar një përsëritje të pranverës së kaluar, thotë eurokomisionerja për shëndetësi.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Universitetit “Xhon Hopkins”, nga fillimi i pandemisë në tërë botën numërohen mbi 977 mijë viktima nga Kovid 19. Nëse tendenca do të vijojë me këto ritme, deri më 1 tetor do të arrihet shifra e 1 milionë viktimave. Vendi me më shumë viktima mbetet SHBA, me mbi 201 mijë viktima, dhe më pas Brazili me mbi 138 mijë. Për të frenuar infeksionet shumë vende të botës po ashpërsojnë masat e kufizimit. Qeveria izraelite ka miratuar një izolim akoma më të ashpër krahasuar me atë aktual i cili do të hyjë në fuqi nga e premtja dhe do të zgjasë deri më 11 tetor.

Comments are closed.