Nick Kyrgios nuk do të jetë pjesë e ekipit të Australisë në ATP Cup. Mungesa e aktiviteteve, dëmtimet e shumta dhe problemet e mëdha jashtë fushave të lojës vazhdojnë të kushtëzojnë ndjeshëm karrierën e tenistit të talentuar me origjinë greke. Të gjitha bashkë kanë bërë që Kyrgios të rrëshqasë në pozicionin e 46 në klasifikimin e përgjithshëm botëror, megjithatë goditjen e fundit me sa kuptohet 25-vjeçari e pëson pikërisht te ky kompeticion, që zhvillon edicionin e dytë në historinë e këtij aktiviteti.
ATP Cup është përfshirë në kalendarin vjetor nga drejtuesit e Federatës ATP dhe ky kompeticion në rang ekipor zhvillohet pikërisht pak ditë përpara turneut të parë të madh të sezonit, që është Australian Open. Tenisti australian ka munguar për pjesën më të madhe të sezonit të kaluar, për shkak të frikës së infektimit nga pandemia e koronavirusit.
Team Australia drejtohet nga ish-numri 1 I botës Lleyton Hewitt si dhe Joshua Eagle, i cili në karrierën e tij u ngjit deri në vendin e 11, në renditjen botërore të lojës dyshe dhe tani është e qartë që tenisti me origjinë greke nuk është grumbulluar për edicionin e dytë të ATP Cup, që do të organizohet nga data 1 deri më 5 shkurt në Qytetin e Melburnit.
Për herë të fundit Nick Kyrgios është parë duke luajtur në Mexico Open, turne me vlerën e 500 pikëve, që zhvillohet çdo vit në Acapulco. Buzë Paqësorit Kyrgios u paraqit si numri 6 i turneut, megjithatë 25-vjeçari nga Canberra u shtrëngua për t’u tërhequr që në turin hapës, për shkak të një problem në kyçin e dorës. Në raundin e parë më datën 24 shkurt Nick Kyrgios humbi setin hapës 6-3 me francezin Ugo Humbert dhe tenisti me origjinë helene preferoi të tërhiqet, për të mos përkeqësuar akoma më shumë dëmtimin që kishte.
Që pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit Kyrgios mbeti në Australi, madje edhe pas muajit gusht kur forca e virusit Covid–19 ra ndjeshëm për t’i hapur rrugë zhvillimit të shumë turneve të ndryshëm përsëri tenisti nga Canberra preferoi për të qëndruar në atdhe.
Numri 46 i botës pritet që të marrë pjesë në kompeticionin Melburn 2, një nga dy turnetë me vlerën e 250 pikëve, që zhvillohen paralelisht me aktivitetin ekipor ATP Cup, ndërsa Australian Open është shtyrë me tre javë nga data fillestare që ishte përcaktuar në kalendarin paraprak, e gjithçka do të startojë më datën 8 shkurt në Melbourne Park. Në këtë mënyrë pas mungesës së Nick Kyrgios-it Australia do të zbresë në fushë me dyshen Alex de Minaur – John Millman, që pozicionohen përkatësisht në vendet 23 e 38 në renditjen botërore. De Minaur dhe Millman do të kenë gjithashtu edhe ndihmën e ciftit John Peers – Luke Saville në lojën dyshe, ndërsa shorti dhe ndarja e grupeve përsa i përket edicionit të dytë të ATP Cup do të bëhet më datën 20 janar.
Sezonin e kaluar Australia shkoi deri në fazën gjysmëfinale, ku u mund thellë 3-0 nga Spanja e Rafael Nadalit, ndërsa në krahun tjetër Serbia mposhti Rusinë po me shifrat 3-0. Më datë 12 janar në finalen e madhe në Ken Roseëall Arena në Sydney Serbia përmbysi disavantazhin e fillimit, për të triumfuar me rezultatin 2-1 dhe përcaktuese ishte pikërisht fitorja e Noles ndaj Rafës, në takimin e dytë të serisë. Australia merr pjesë si skuadër e ftuar dhe me statusin e vendit organizator.
Nga edicioni I sivjetshëm është tërhequr Zvicra, për arsye të dëmtimit të veteranit Roger Federer në pjesën e gjurit, ndërsa 11 vendet e tjera janë përcaktuar në bazë të klasifikimit të përgjithshëm të lojtarëve, në renditjen e fundit botërore, që është publikuar më datë 4 janar. Në këtë mënyrë skuadrat e kualifikuara për në fazën finale të edicionit të dytë të ATP Cup janë: Serbia, Spanja, Austria, Rusia, Greqia, Gjermania, Argjentina, Italia, Japonia, Franca, Kanadaja dhe Australia. Ky aktivitet ishte menduar fillimisht të organizohej në tre qytete të ndryshme të Australisë, Brisbane, Perth dhe Sydney nga data 1 deri më 10 janar me pjesëmarrjen e plot 24 skuadrave përfaqësuese, por gjithçka u modifikua për arsye të pandemisë së koronavirusit.
Kështu ky kompeticion do të vazhdojë me 12 ekipet që do të ndahen në katër grupe, prej nga ku do të fitojnë të drejtën për të vijuar rrugëtimin për në “final four” vetëm skuadrat që do të fitojnë vendin e parë në grupet A, B, C dhe D.