“Ky Inter, si i tripletës”

Të fitosh një derbi në minutat shtesë është një emocion i papërshkrueshëm dhe një dhimbje e madhe për kundërshtarin. Goli i Ikardit ka çuar në ekstazë tifozët interistë dhe një gjë të tillë e ka shijuar dhe Masimo Morati. Ish-presidenti dhe tifozi numër një i zikaltërve ka folur “Radio Anch’Io lo Sport”, ku komenton ekipin aktual të Spaletit. Ndeshja e mbrëmshme i ka kujtuar ekipin e Murinjos, që shkroi historinë në vitin 2010 duke fituar tripletën e famshme.

Morati sheh ngjashmëri mes dy ekipeve, por këtij Interi i mungon një lojtar si… Esteban Kambiaso. Ikardi është njeriu i momentit, Morati e adhuron, por bën thirrje të mos e krahasojnë me Ronaldo Fenomenin. Ikardi është një “përbindësh” në zonë, por braziliani ishte diçka tjetër, që vështirë të shihet dhe për shumë vite në futboll.

DERBI – “Është mënyra më e mirë për të fituar, sidomos në një derbi, edhe pse është e vërtetë që të shënosh në fund do të thotë që nuk ke qenë në gjendje të shënosh më përpara… Një sukses i tillë do të kishte lumturuar dhe avokat Priskon (ish-tifoz i zjarrtë i Interit).”

TITULLI – “Është një objektiv shumë i vështirë, Juventus është më i fortë dhe ka detyrën të fitojë Champions-in, por ne kemi treguar se jemi aty. Shpresoj të shohim dhe në fazën e dytë të kampionatit të njëjtën vazhdimësi rezultatesh dhe të njëjtën performancë atletike që po demonstron ekipi.”

KRAHASIMI – “Duke parë derbin dhe duke parë tensionin që arrinte të mbante ekipi, mu kujtua Interi i tripletës. Është gjithmonë e vështirë të bësh krahasime, por besoj se me një Kambiaso në fushë, pa i hequr asnjë meritë Brozoviç dhe Vesinos, ky Inter do të kishte një ekuilibër perfekt.”

IKARDI – RONALDO – “E admiroj shumë Ikardin, por nuk do të guxoja ta krahasoja me Ronaldon. Fenomeni kishte një klas dhe elegancë të lindur, është një lojtar i përjetshëm, do të bënte diferencën dhe sot, ndërsa Mauro është një lojtar i stilit të vjetër, vdekjeprurës në zonë. Nuk dua të bëj trajnerin, por mendoj se do të bënte shumë mirë me Martinez në krah.”

CHAMPIONS – “Finalja e Champions-it luhet në Madrid, si në vitin 2010. Edhe atëherë luanim me Barcelonën në fazën e grupeve, diçka më kalon nëpër mendje, por është akoma herët… Mungesa e Naingolan është e rëndë, por ajo e Mesit për Barcelonën është edhe më shumë, një fat për ne. Marota tek Inter? Kurrë nuk është e gabuar të marrësh drejtues me eksperiencë, por nuk vendos unë.”

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com