Tendenca për të rikthyer debatin në pikën zero mu në prag të zgjedhjeve parlamentare të radhës, flet për problemet fundamentale që ka shoqëria etnike maqedonase, e cila frustrimin e saj që vjen si rezultat i mohimeve bullgare, serbe e greke, mundohet ta kompensojë me njëfarë krenarie false, duke atakuar kualitetin dhe kuantitetin e përdorimit të gjuhës zyrtare në të gjitha instancat horizontale dhe vertikale të pushtetit
Nga Emin AZEMI
Akademia Bullgare e Shkencave tash së fundmi ka dalur me një vlerësim sipas të cilit ” gjuha maqedonase nuk ekziston, ajo është normë rajonale e shkruar e gjuhës bullgare”.
Ky vlerësim është vazhdimësi e qëndrimit politik të Sofjes zyrtare, e cila ditë më parë miratoi një kornizë me 20 kushte për Maqedoninë e Veriut, që duhet plotësuar para se të bëhet anëtare e BE-së. Shumica e këtyre kushteve prekin thellë në identitetin dhe historinë maqedonase, sidomos në aspektin gjuhësor. Qeveria bullgare është kategorike në qëndrimet e saj sa i përket gjuhës maqedonase, e cila, sipas Sofjes zyrtare nuk duhet të përdoret në asnjë dokument të BE-së, por vetëm si “gjuhë zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Këto qëndrime politike të Sofjes zyrtare janë përkrahur edhe nga institucionet akademike e shkencore bullgare, vlerësimet e të cilëve janë në valë të njëjta me zyrtarët bullgarë.
“Kualiteti kryesor i gjuhës sonë të përbashkët është aspekti analitik i saj, dhe në mesin e gjithë gjuhëve tjera sllave, vetëm bullgarishtja është analitike”, thuhet në një recension shkencor të miratuar nga ana e Institutit bullgar të gjuhësisë. Sipas këtij recensioni ” gjuha maqedonase është bullgarishte, e shkruar në makinën serbe të shkrimit”, vlerëson Instituti bullgar i gjuhësisë.
Gjithashtu ky Institut insiston në “diferencimin në mes të dialekteve në Maqedoninë e Veriut dhe normës zyrtare gjuhësore të shtetit”, për arsye se gjuha standarde maqedonase, sipas gjuhëtarëve bullgar “është formuar me dekret, dhe ishte serbizuar”.
“Por kodi, natyra e të ashtuquajturës normë maqedonase mbetet e pacenuar dhe ajo paraqet as më shumë, as më pak, por gjuhë letrare rajonale bullgare. Fakti që dikush dikur e ka kodifikuar dhe e ka cilësuar si gjuhë maqedonase, nuk ka kurrfarë kuptimi shkencor, përpos atij politik”, vlerësojnë historianët bullgarë.
“Duhet të jetë e qartë se norma gjuhësore që ishte shpallur gjuhë kushtetuese në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, është e ndërlidhur me evolucionin e gjuhës maqedonase dhe nëndialektit të saj që ishte kodifikuar në vitin 1944’, thuhet në mes tjerash në Deklaratën e Qeverisë bullgare. Ambiciet bullgare për të mohuar identitetin etnik e gjuhësor maqedonas, janë më të hershme, por tani këto ambicie po marrin karakter institucional, në formë të një presioni që i bëhet Shkupit zyrtar, duke kërkuar nga ai një sërë kushtesh që duhet plotësuar para anëtarësimit në BE.
Bullgaria dhe Maqedonia e veriut vitin e kaluar kanë nënshkruar një Deklaratë të fqinjësisë së mirë, përmes së cilës synohet të normalizohen raportet e përkeqësuara midis dy vendeve si pasojë e disa temave e çështjeve të hapura nga historia, përfshi gjuhën, figurat historike, datat dhe ngjarjet historike etj.
Çuditërisht këto ambicie po vinë mu në kohën kur edhe gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut po përjeton një diversion të paskrupullt nga shumë qarqe politike e intelektuale maqedonase, duke pretenduar në dykuptimësitë e qëndrimeve të fundit të Komisionit të Venecias. Tendenca për të rikthyer debatin në pikën zero mu në prag të zgjedhjeve parlamentare të radhës, flet për problemet fundamentale që ka shoqëria etnike maqedonase, e cila frustrimin e saj që vjen si rezultat i mohimeve bullgare, serbe e greke, mundohet ta kompensojë me njëfarë krenarie false, duke atakuar kualitetin dhe kuantitetin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha instancat horizontale dhe vertikale të pushtetit.
Fundja ky është “kvasaci” i skaduar i nacionalizmit maqedonas, i cili ka kohë që po ushqen me ‘bukë’ bajate një shoqëri të tërë. (koha.mk)