Në qytetin e Dibrës funksionojnë dy kuzhina popullore. Njëra është kuzhina popullore shtetërore që menaxhohet nga Qendra ndërkomuale për Punë Sociale, si dhe kuzhina tjetër humanitare “Dibra” – që është një kuzhinë që funksionon me mbështetje humanitare. Në kuzhinën popullore shtetërore, racione të ngrohta marrin 100 anëtarë të familjeve në nevojë, derisa në kuzhinën “Dibra” – 50 fmalije mbushin barkun me ushqim
Vjollca SADIKU
Dibër, 18 janar – Një pjesë e qytetarëve dibran viteve të fundit ballafaqohen me probleme radikale sociale. Të dhënat të Qendrës ndërkomunale për Punë Sociale në Dibër thonë se gjatë vitit që kaloi, afër 700 familje dibrane shfrytëzonin të drejtën e ndihmës sociale. Por mes tyre ka edhe të tillë, të cilët për shkaqe të ndryshme kanë probleme të mëdha sociale me përmasa për të mbijetuar.
Pikërisht kjo kategori e popullatës së varfër rrugëdalje gjen në kuzhinat popullore që funksionojnë në Dibër. Në qytetin e Dibrës funksionojnë dy kuzhina popullore. Njëra është kuzhina popullore shtetërore që menaxhohet nga Qendra ndërkomuale për Punë Sociale, si dhe kuzhina tjetër humanitare “Dibra” – që është një kuzhinë që funksionon me mbështetje humanitare. Në kuzhinën popullore shtetërore, sipas drejtorit të Qendrës për Punë Sociale në Dibër, Kreshnik Paçuku, aktualisht racione të ngrohta marrin 100 anëtarë të familjeve në nevojë. Sipas tij, ka një rritje të kërkesave dhe kërkesat janë drejtuar në adresë të Ministrisë për Çështje dhe Punës Sociale. Në këtë kuzhinë popullore, ushqimi është i një kualiteti të mirë dhe 20 racione ndahen në Komunë Qendër Zhupë. Kuzhina funksionon për çdo ditë dhe është vendosur në objektin e çerdhes së Dibrës.
Në ndërkohë, në kuzhinën humanitare “Dibra”, e cila menaxhohet nga humanisti Zeqir Çanka, aktualisht për çdo ditë ndahen nga 50 racione. Çanka tregon se kuzhina humanitare “Dibra” është themeluar në muajin maj të vitit 2018 dhe deri tani janë shërbyer mbi 20 mijë racione. Është një kuzhinë e cila është vendosur në afërsi të Muftinisë së Dibrës dhe ka një përkrahje humanitare jo vetëm nga persona, familje dhe grupe vullnetarësh, por edhe nga shumë ndërmarrje dhe kompani të Dibrës, por edhe më gjerë. Kjo kuzhinë faktikisht është themeluar nga fondacioni “Dibra” dhe jep një kontribut të madh në zbutjen e varfërisë të një pjese të familjeve dibrane. “Kemi përkrahje nga popullata, ndërmarrjet private, por edhe nga mërgimtarët tanë që jetojnë në SHBA dhe vendet europiane”, thotë Çanka.
Është për tu theksuar fakti se kuzhina kohëve të fundit është furnizuar edhe me komorë për freskimin e ushqimeve. Kuzhina humanitare “Dibra”, siç thonë përgjegjësit, është e gatshme të rrit ndihmat për hallexhinjtë, por njëkohësisht edhe të zgjeroj bashkëpunimin me të gjithë ata që ndihmojnë skamnorët.
Edhe pse qyteti i Dibrës në të kaluarën është karakterizuar me dinjitetin qytetar, viteve të fundit për të mbijetuar – ka familje të cilët duan apo s’duan – drejtohen tek kuzhina popullore për të mbijetuar. Në të kaluarën në Dibër edhe fukarallëku është fshehur, dhe familjet në nevojë kanë mbijetuar me ndihmën e të afërmve apo nga fqinjët. Tani, meqë jetojmë në një shoqëri më dinamike, familjet në nevojë mbijetojnë pikërisht nëpërmjet kuzhinave në fjalë. (koha.mk)