Beograd, 20 shkurt – Kuvendi serb në seancën e sotme do të debatojë për Propozim-ligjin për konfirmim të marrëveshjes mes Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për pranim të ndërsjellë të shërbimeve të kualifikuara të besimit, informon korrespondenti i MIA-s nga Beogradi, përcjell KOHA.
Gjatë prezantimit të marrëveshjes para deputetëve, ministri i Financave Sinisha Mali, tha se marrëveshja do të ketë ndikim ndaj subjekteve afariste të të dyja vendeve, të cilat në bashkëpunimin e ndërsjellë afarist do të kalojnë në punë elektronike, që është më e shpejtë dhe më efikase nga tregtia klasike.
“Përmes kësaj marrëveshje ne i pranojmë shërbimet e tyre të kualifikuara, ata tonat dhe me këtë krijojmë kushte për përshpejtimin e tregtisë elektronike dhe kjo është pjesë e minishengenit, iniciativë e madhe të cilën e filloi presidenti Aleksandar Vuçiv, që është e drejtuar drejtë përshpejtimit të bashkëpunimit, afarist, ekonomik, social mes të tre vendeve në Ballkanin Perëndimor me qëllim përshpejtimin plotësues të rritjes ekonomike të tre vendeve”, tha Mali.
“Pranimi i ndërsjellë gjithashtu nënkupton se qytetarët dhe subjektet afariste nga i njëjti vend do të mund t’i shfrytëzojnë shërbimet onlajn të një vendi tjetër, gjegjësisht do të mund të identifikohen përmes skemave të tyre për identifikim elektronik, të cilët janë pranuar njëjtë edhe në të dyja shtetet”, vlerësoi Mali.
Ai gjithashtu tha se shërbimet e një vendi do të jenë të kapshme edhe në një shtet tjetër, që do të ketë ndikim pozitiv ndaj zhvillimit ekonomik të të dyja shteteve.
Mali, para deputetëve e sqaroi edhe propozim-ligjin për konfirmim të Protokollit plotësues 6 për tregti me shërbime të marrëveshjes për ndryshime dhe plotësime të marrëveshjes për tregti të lirë në Evropën Qendrore.
“Poenta dhe motivi themelor për përmirësimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe lidhjen më të afërt në rajonin tonë është zhvillimi gjithëpërfshirës dhe modernizimi i shoqërive të tona, gjegjësisht mirëqenia e të gjithë qytetarëve tanë”, tha Mali.
Ai sqaroi se qëllimi është që të gjithë qytetarët tanë më lehtë të komunikojnë, më lehtë të lidhen, të udhëtojnë, të gjejnë punë dhe të blejnë produkte nga rrethina e afërt.
Në të njëjtën kohë, theksoi Mali, Protokolli 6 i marrëveshjes CEFTA ka të bëjë me liberalizimin e tregtisë me shërbime, me çka rriten mundësitë për përforcimin e bashkëpunimit ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Ky është pikërisht një nga qëllimet dhe idetë më të rëndësishme të iniciativës të cilin para pak kohësh e ngritën presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bashkë me kryeministrat e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev”, tha Mali.
Në rend dite të seancës së sotme të kuvendit serb janë edhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare të Serbisë, të cilat parashohin stimulimin e rritjes së sipërmarrësisë, përmirësimin e biznesit të kompanive vendore, veçanërisht të eksportit. (koha.mk)