Kuvendi përfundoi debatin rreth ligjit për regjistrim, votimi u prolongua

35

Diskutimi për propozim ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe amvisërisë në Maqedonisë e Veriut vazhdoi dje edhe në orët e pasdites dhe mbaroi në orën 18:15, por me votim të prolonguar për një ditë tjetër, ku nuk përfunduan përplasjet dhe akuzat për manipulim mes VMRO-DPMNE-së dhe ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq, propozuesit të ligjit, transmeton Portalb.mk.

Akuzave se VMRO – DPMNE, do të bëjë thirrje për bojkot të regjistrimit, Mariçiq u tha deputetëve se ky operacion statistikor që nuk është zbatuar pothuajse 20 vite është i nevojshëm për shtetin dhe se ata me siguri kanë përzier zgjedhje dhe regjistrim.

“Ju me thirrjen tuaj për bojkot do të kontribuoni që të dalin numër sa më i vogël i maqedonasve në regjistrim. Nëse ai është qëllimi juaj, hallall ju qoftë”, tha Mariçiq.

Deputetët e opozitës kanë shpalosur argumentet e tyre pse kanë mosbesim të kredibilitetit të operacionit dhe të numrave që do të fitojnë me ligjin e propozuar sipas së cilit do të zbatohet regjistrimi. Më kontestuese është që, nuk ka metodologji se si do të zhvillohet operacioni. Për këtë, Mariçiq tha se miratohet më vonë. Vërejtje kishte edhe rreth asaj se pse, regjistruesit nuk do të trajnohen, për çka ai tha se trajnimi për regjistrimin që dështoi gjatë kohës së VMRO-DPMNE dhe BDI kanë zgjatur vetëm një ditë, ndërsa tani do të zgjasë një muaj.

Zoran Krmov kishte më shumë vërejtje, ndërsa vërejtja më rëndësishme është se pse rezultatet e regjistrimit në fund të jenë të lidhur me nënshkrimin e drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit të Entit Shtetëror të Statistikës.

“Nënshkrimi është kërcënim nga BDI. Nuk u pëlqejnë rezultatet, nuk do t’i nënshkruajnë, ajo është prapavija e nënshkrimit të lidhur. Nuk ka metodologji. Thoni se të dhënat do të kontrollohen përmes bazës së të dhënave. Por, baza e të dhënave nuk janë përditësuar”, ishin një pjesë e vërejtjeve të Krmov.

“Në mars, njerëzit në diasporë mund të regjistrohen në përfaqësitë tona diplomatike. Nëse nuk arrijnë, njerëzit që i njohin do të tregojnë për to, do të japin të dhëna. Më pas, ato të dhëna do të krahasohen në bazën e të dhënave. Ndërsa për nënshkrimin, shihni garancë në atë, asgjë më tepër”, u përgjigj Mariçiq./Portalb