Kuvendi i Maqedonisë, e miratoi kërkesën e Gjykatës Themelore Shkupi 1 dhe ua ka hequr imunitetin gjashtë deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët akuzohen nga Prokuroria Themelore Publike për “rrezikim terrorist të rendit dhe sigurisë kushtetuese”. Koordinatori i LSDM-së në Kuvend, Tomisllav Tuntev, gjatë debatit kuvendor për heqjen e imunitetit të 6 deputetëve të VMRO-DPMNE-së, tha se kanë dy opsione, edhe atë, ose Maqedonia të kthehet në rrugën e drejtë, ose të ketë drejtësi selektive. “Ndodhemi përpara zgjedhjes së dy opsioneve, nëse do të lejojmë që proceset e drejtësisë të kthehen në rrugën e drejtë, apo edhe më tej në këtë shtet do të ketë drejtësi selektive. Në 27 prill jetët dhe shëndeti i deputetëve, shërbimeve kuvendore, gazetarëve dhe punëtorëve medial kanë qenë të rrezikuara. Atë ditë që ka ndodhur ka qenë kundër të gjithë të drejtave ligjore, por edhe njerëzore. Ajo ditë që ka hyrë në ditët e turpshme të historisë së shtetit, patjetër duhet të pastrohet. Kthimi i shtetit ligjor është e patjetërsueshme për shtetin tonë, ndërkaq Kuvendi duhet të jetë shembull për atë. Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët”, tha Tuntev. Sipas procedurës, Kuvendi vendimin për heqjen e imunitetit duhet ta dorëzojë në Gjykatë Themelore Shkupi 1, ndërkaq pas kësaj pritet që me urdhër të Gjykatës, të paraburgosen deputetët: Kërsto Mukovski, Johan Tarçullovski, Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Lupço Dimovski dhe Zhaklina Peshevska.