Shkup, 2 dhjetor – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në vazhdimin e seancës së 64-ët me 67 vota “për”, katër “të përmbajtura” dhe 23 “kundër” e përcaktoi projekt amendamentin XXXIII të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
Me amendamentin e parë parashihet në Kushtetutë fjalët “Republika e Maqedonisë” të zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa fjala “Maqedoni” zëvendësohet me fjalët “Maqedonia e Veriut”, përveç në nenin 36, i cili e ka aspektin historik dhe ka të bëjë me “të drejtat e veçanta sociale të luftëtarëve të Luftës Antifashiste dhe prej të gjitha luftërave nacionalçlirimtare të Maqedonisë”.
Sipas deputetëve të shumicës në pushtet amendamenti 33 ka të bëjë me emrin e shtetit dhe me të përfundimisht definohet emri i shtetit tonë në kontekstin më të gjerë historik dhe përcaktimi gjeografik “e Veriut” që i shtohet praktikisht është reale, por edhe zgjidhje historike e përkufizimit të shtetit bashkëkohor, i cili dëshiron që ekzistimin e vet ta ndërtojë në parime universale në botën e globalizuar.
Deputeti Panço Minov, nga GROM, tha se ka pritur më shumë nga debati për amendamentet, pasi ai e paraqet esencën e prioriteteve shtetërore dhe strategjike të Republikës së Maqedonisë dhe kërkoi qartë të definohet që ndryshimi i emrit ka të bëjë me titullin dhe tekstin e kushtetutës, gjegjësisht nuk do të ketë ndryshim në preambulë, si edhe se ndryshimi i emrit do të kushtëzohet dhe veprojë për anëtarësimin tonë në NATO dhe BE.
“Prononcimi im për këtë amendament do të varet nga prononcimi për propozimin tim”, tha Minov.
Fadil Zendeli nga BESA tha se si parti opozitare e kanë mbështetur Marrëveshjen e Prespës, për të cilin kanë vlerësuar se është parakusht për integrimet tona strategjike euroatlantike edhe pse kanë pasur vërejtje dhe sugjerime për marrëveshjen.
“Pyetja e referendumit në pajtim me përcaktimet ligjore nuk u plotësua. Tani jemi tek ndryshimet kushtetuese, të cilat prej Qeverisë janë propozuar në pajtim me Marrëveshjen e Prespës. Pasi Kushtetuta nuk hapet çdo ditë, si subjekt politik kërkuam të shtrohen edhe çështje të tjera, siç është barazia gjuhësore dhe të cilat i prekin marrëdhëniet ndëretnike”, tha Zendeli.
Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, në replikën ndaj deputetëve të opozitës, tha se mendon sikur jetojnë në planetë të ndryshëm.
“Kur hymë në KB, shtëpinë tonë filluam ta ndërtojmë me obligimin ta zgjidhim problemin me Greqinë. Duke gërmuar pas në antikë, i humbëm miqtë. A është e saktë se shteti ynë nuk e përfshin të gjithë rajonin e Maqedonisë”, tha Dimitrov.
Kuvendi e filloi debatin për amendamentin XXXIV të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.