Shkup, 23 korrik – Deputetët në kuadër të seancës së 53-të kuvendore pa debat i miratuan Ligjin për ndryshim të Ligjit për trajnim dhe provim të drejtorëve të shkollave fillore, shkollave të mesme, konvikteve dhe universitetit të hapur për mësim të përjetshëm me procedurë të shkurtuar.
Me 58 vota “pro” dhe 15 “kundër” Kuvendi i mbështeti ndryshimet e Ligjit për gjykatës dhe prokurorë publikë në lexim të parë.
Deputetët e shqyrtuan edhe raportin e Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (ASHMAA), të Agjencisë për posta dhe të Agjencisë për komunikime elektronike, të gjitha për vitin 2017.
Për shkak të mospasjes së përfaqësuesit në seancën e sotme nuk është shqyrtuar Plani financiar për ndryshim të planit financiar të RTVM-së për vitin 2018 dhe Raporti vjetor për punën e RTVM-së për vitin 2017. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi theksoi se do të kërkojnë mundësi për kompensim të dëmit për shkak të pamundësisë që Kuvendi të punojë dhe nevojën që të hapen shpenzime të reja në seancë të re që të shqyrtohet pikat e caktuara në rend dite, për të cilat të ftuarit janë të detyruar të marrin pjesë..
Kuvendi sot shqyrtoi edhe tre kërkesa për interpretim autentik nga ligjet, dy të parashtruara nga deputetë, ndërsa një nga një kryetar komune dhe konkludoi se janë të paarsyeshme dhe se nuk ka nevojë për interpretim të ligjeve.
Seanca kuvendore do të vazhdojë pas pushimit të rregullt të pasditës.