Kuvendi i Shqipërisë në pushim, miratoi ndryshimet në Kodin Penal dhe koncesionet për 2 rrugë

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar disa ligje të debatuara. Bëhet fjalë për dy koncesione për rrugët, Milot-Balldre, i cili u miratua me 79 vota pro dhe ai i rrugës Orikum-Dukat me 73 vota pro.

Koncesionet do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth 328 milionë euro. Opozita i ka denoncuar në vijimësi këto koncesione, veçanërisht atë Milot-Balldre.

Kuvendi ka miratuar gjithashtu me 96 vota projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Ndryshimet ashpërsojnë masat për dhunën ndaj mjekëve e policëve, përfshirë krimet që lidhen me dhunën në sport, sikurse për falsifikatorët e ushqimeve. Ndërkaq 11 deputetë kanë votuar kundër dhe 2 abstenuan për këto ndryshime.

Dy ligjet e sistemit të Drejtësisë, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë” dhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” u miratuan me 106 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim.

Parlamenti miratoi edhe ndryshimet në ligjin e Parteneriteteve Publike Private përmes të cilave kufizohen propozimet e pakërkuara për rrugët nacionale, heqja e bonusit për këto propozime përfshi një kontroll më të madh në të gjitha fazat nga Ministria e Financave.

Kuvendi miratoi edhe projektligjet “Për mbrojtjen civile”, disa ndryshime në ligjin “Për faunën e egër”, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10242, datë 25.2.2010 “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”.

U miratua po ashtu, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuarm nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (huasmarrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit (agjencia e zbatimit të projektit) dhe KFW Frankfurt am Main për programin e furnizimit me ujë të zonave rurale IV”, projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, projektligji “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, “Për nismën ligjvënëse të shtetasve në Republikën e Shqipërisë”, projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat kombëtare” , të ndryshuar – nismë deputetësh.

Kuvendi miratoi projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, projektligji “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”/BalkanWeb.