Shkup, 10 shkurt – Kuvendi duket se është shndërruar në një fushëbetejë mes partive politike për atë se propozim ligjet e cilës parti të miratohen së pari. Bashkimi Demokratik për Integrim insiston të miratohet Ligji për lojërat e fatit, për Veting dhe për ndryshim të kufijve të njësive zgjedhore para shpërndarjes së Kuvendit. Deputeti Artan Grubi kërkon mbështetjen edhe të VMRO-DPMNE-së dhe të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, ndërkaq tha se nëse ligjet nuk miratohen nga kjo përbërje parlamentare, të njëjtat do të qëndrojnë edhe në programin zgjedhor.
“Ligjin për veting e kemi dorëzuar deri te VMRO-DPMNE-ja dhe te LSDM-ja tashmë disa muaj, ndoshta edhe 6 muaj, Ligjin për lojërat e fatit gati edhe një vit. Prandaj, uroj që LSDM dhe VMRO-DPMNE, por edhe partitë e tjera politike të shohin iniciativat pozitive të BDI-së dhe nevojave të qytetarëve, dhe t’i pranojnë këto dy iniciativa”, deklaroi Artan Grubi nga BDI.
Nga LSDM-ja iu përgjigjën Grubit. I dhanë mbështetje, por vlerësuan se për ata është prioritet miratimi i Ligjit për Prokurori Publike.
“Të shohim se si do të zhvillohet situata me Ligjin për Prokurori Publike, me seancën, me Komisionin… kështu të shohim se si do të zhvillohen këto procedura, të cilat janë prioritet para shpërndarjes së Kuvendit. E njëjta vlen edhe për ligjin për veting”, potencoi Jovan Mitrevski nga LSDM.
Ndërkaq, nga opozita shqiptare kanë shprehur gatishmëri për ta votuar Ligjin për lojërat e fatit dhe për ndryshim të kufijve të njësive zgjedhore. Deputetët e ASH-së, Surija Rashidi dhe Fadil Zendeli nga Besa apeluan për votim të të njëjtëve, pasi siç thonë ata ajo është për të mirën e qytetarëve.
“Qëndrimi paraprak i ASH-së është që çështja me lojërat e fatit të zgjidhet në atë mënyrë që ato të dislokohen 3 kilometra larg vendbanimeve. Ky ligj pikërisht atë e kërkon”, theksoi Surija Rashidi nga ASH.
“Haptazi para publikut shpreh përkrahjen e dy deputetëve të Lëvizjes BESA për këtë propozim – ligj, kemi përkrah aktivitetet e oragnizatës Antikazino, por duhet të shohim vullnetin e partive politike se a kanë gatishmëri që ky propozim ligj të bëhet realitet”, tha Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA.
Por, edhe pse seanca e Komisionit për financa dhe buxhet, ku në rend dite ishte edhe Ligji për lojërat e fatit, u caktua për sot në ora 15, i njëjti është shtyrë për nesër. Me propozim ligjin parashihet që objektet e lojërave të fatit të qëndrojnë 3 kilometra larg vendbanimeve dhe të objekteve shkollore. Lëvizja Antibixhoz ka kërcënuar partitë politike se në rast se nuk votojnë për këtë zgjidhje ligjore, do të bojkotojnë zgjedhjet e 12-prillit.(koha.mk)