Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot e vazhdoi seancën konstitutive për zgjedhjen e kryetarit, zëvendëskryetarit, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve. Në rend dite të seancës është edhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
Deputeti Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE theksoi se në Tetovë si komunë me një numër më të madh të shqiptarëve në Maqedoni, VMRO-DPMNE ka bërë më shumë se kryetarja e komunës së Tetovës. Pastaj vijoi një seri të vërejtjeve procedurale dhe replika nga deputetët. Goran Misovski nga PRSD kërkoi nga kryesuesi Trajko Veljanoski të votohet për propozimin për kryetar të Kuvendit në shumicën e re për të cilin janë parashtruar 20 nënshkrime të deputetëve.
Xhevat Ademi nga BDI, ndërkaq, theksoi se janë të qarta punët dhe se kërkimi i temave kujdestare ndoshta është legale, por nuk është morale. Kërkoi debat, qëllimi i së cilës, siç tha, është vetëm të fitohet kohë, të ndërpritet dhe të votohet për përbërjen e Komisionit, ndërsa pastaj të zgjidhet kryetari i Kuvendit. Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE tha se nuk do të ishte e drejtë të kapërcehen pikat nga rendi i ditës dhe shtoi se është procedurale të vazhdohet me rendin e ditës siç është votuar.
Bashkëpartiaku i tij Ilija Dimovski kërkoi që opinioni ta shohë tekstin e ligjit për përdorimin e gjuhëve që e kanë konfirmuar LSDM dhe BDI, ndërsa pastaj të flitet për zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit. Ferid Muhiq theksoi se në Kuvend është e nevojshme të ketë debate, por debatet, siç tha, duhet t’i respektojnë faktet. Në replikë Ilija Dimovski theksoi se mungojnë fakte, veçanërisht për ligjin për gjuhë që e kanë dakorduar LSDM dhe BDI.
Artan Grubi nga BDI theksoi se deklarata e partive parlamentare shqiptare në Maqedoni është nënshkruar në Shkup dhe del nga programet e tyre dhe se nuk është drejtuar kundër unitaritetit të shtetit. “BDI nuk është kundër Maqedonisë unitare dhe nuk është për kantonizim apo federalizim të shtetit, ndërsa ligji për gjuhët nuk është kundërkushtetues dhe del nga Marrëveshja e Ohrit”, tha Grubi. Pas vërejtjeve procedurale të Grubit kryesuesi Veljanoski dha pauzë pas së cilës vazhdoi seanca.
Konfirmimi i propozimit për përbërje të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve është parakusht për vazhdim të seancës konstituive kuvendore e cila filloi më 30 dhjetor të vitit 2016, por u ndërpre, për shkak se nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhje të kryetarit të Dhomës Ligjdhënëse. Në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, sipas dakordimit paraprak të partive politike, VMRO-DPMNE do të ketë gjashtë anëtarë, LSDM pesë, ndërsa BDI dhe Besa nga një anëtar.