Pas pauzës pesëditore, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot e vazhdoi seancën konstitutive në të cilën debatohet për zgjedhjen e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve. Në vijimin e sotëm të debatit me replika paraqiten deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët kërkojnë që LSDM-ja të heq dorë nga platforma e Tiranës dhe se kjo, sipas tyre, është çelësi për dalje nga kriza politike ose të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale.
Nga LSDM-ja, megjithatë, konsiderojnë se me debatin nuk respektohet Rregullorja kuvendore dhe se deputetët e VMRO-DPMNE-së diskutojnë për tema të cilat nuk kanë të bëjnë me pikën e rendit të ditës. Ata kërkuan të vendoset në votim propozimi i tyre – të kalohet në pikën e re – përzgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Në pajtim me dakordimet, në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve duhet të jenë gjashtë përfaqësues nga VMRO-DPMNE-ja dhe pesë nga LSDM-ja, ndërsa BDI-ja dhe lëvizja BESA kanë nga një anëtar. Seanca konstitutive kuvendore filloi më 30 dhjetor të vitit 2016, por u ndërpre sepse nuk u sigurua shumica parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të Dhomës ligjdhënëse.