Shkup, 15 janar – Deputetët në seancën e sotme të 30-të me 61 vota “pro” dhe një “abstenim” e votuan propozim-ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë.
Në punën e Parlamentit nuk merrnin pjesë deputetët e opozitares VMRO-DPMNE.
Ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, tha se është fakt që çështjet delikate dhe të vështira midis dy vendeve fqinje është vështirë të dakordohen dhe “as ne, e as në Bullgari nuk janë tërësish të kënaqur me tekstin”.
“Marrëveshja i mbulon interesat tona dhe të palës bullgare. Ka një simbolikë të bukur sepse në ditën e sotme Bullgaria ishte vendi i parë që e njohu pavarësinë e Maqedonisë. Është shumë e rëndësishme që para ratifikimit të marrëveshjes në praktikë kemi ndryshim thelbësor të marrëdhënieve tona”, deklaroi Dimitrov.
Ai theksoi se marrëveshja është e rëndësishme për shkak se të dyja palët janë inkurajuar ” të dalin nga llogoret, veçanërisht në rajonin tonë, i cili është i ngarkuar me histori dhe është e rëndësishme se i jep një vetëbesim të caktuar shoqërisë sonë”.
Artan Grubi tha se kjo Qeveri dhe shumica parlamentare janë të përkushtuara në marrëdhëniet e mira midis komuniteteve dhe në përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mire me fqinjët tanë që do të mundësojë integrim më të shpejtë dhe qasje drejt marrëdhënieve euroatlantike.
Përmes realizimit të këtyre politikave nuk varet vetëm perceptimi i Brukselit, por e përforcon edhe sigurinë tonë. Me mbylljen e çështjes me fqinjët sovraniteti dhe karakteri unitar i vendit mbeten të pacënueshme. Për shkak të kësaj ne të gjithë nga BDI-ja dhe komuniteti shqiptar në tërësi e përkrahim mbylljen e çështjeve të hapura me fqinjët”, deklaroi Grubi.
Theksoi se viti 2018 duhet të përkushtohet në anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO dhe në BE he prandaj duhet që të përdoret e njëjta energji edhe për zgjidhjen e kontestit me emrin me Greqinë.
Marrëveshja, siç njoftoi MIA, u nënshkrua më 1 gusht të vitit 2017 nga ana e kryeministrave të dy shteteve, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, për shkak të përforcimit të marrëdhënieve të ndërsjella miqësore, avancimin e fqinjësisë së mirë, zhvillimin e marrëdhënieve të gjithanshme, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Marrëveshja është rezultat i procesit dakordues pesëvjeçar të grupeve të punës të dy MPJ-ve dhe paraqet sendërtim të marrëveshjes dhe paraqet sendërtim të marrëveshjes të nënshkruar në vitin 1990.