Shkup, 15 janar – Kuvendi sot pasdite pas tri ditëve e përfundoi debatin për Propozim-ligjin për regjistrim të popullatës, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas të cilit pas 19 viteve vendi këtë vit duhet ta realizojë këtë operacion statistikor. Për propozim ligjin do të votohet në vazhdimin e kësaj mbledhje, e cila do të caktohet në mënyrë shtesë.
Në paraqitjen para përfundimit të debatit, ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq theksoi se shteti dhe sistemi janë të gatshëm për regjistrim, sepse, siç tha, gati 20 vjet nuk është realizuar një operacion i tillë, ndërsa është me rëndësi të madhe për zhvillimin e shtetit. Dëshmi për gatishmërinë tha, është edhe raporti i Komisionit Evropian, në të cilin është shënuar progres i mirë, veçanërisht në zbatimin e pilot fazës nga regjistrimi i popullatës, si dhe testimi i metodologjisë së re.
“Komisioni konsideron edhe se ka përmirësim në të gjitha sferat statistikore dhe harmonizimin e statistikave sektoriale me standardet e BE-së. Pas kësaj, dyshime për atë se si do të realizohet regjistrimi ka vetëm te opozita, e cila kërkon mënyrë që ai të shtyhet. Paralajmërimi se do të grumbullohen nënshkrime që të pengohet mbajtja e regjistrimit është vetëm vazhdim i përpjekjeve që të pengohet zhvillimi i shteti, ndërsa thirrja për bojkot është e bizare. Nuk mund të bojkotohet diçka që është obligim”, tha Mariçiq.
Ai i hodhi poshtë akuzat e opozitës se me dhunë “shtyhet” regjistrimi, ndërsa ata si subjekt politik ishin injoruar nga pushteti për këtë çështje.
“Dëshiroj të ju përkujtoj se bisedimet me opozitën për regjistrimin filluan që në vitin 2019. Pikërisht VMRO-DPMNE vendosi që të tërhiqet nga ato. Propozimet e fundit të cilat i morëm, për të cilat ishte informuar edhe publiku ose ishin të paqarta ose ishin të panevojshme dhe të parealizueshme në afate të këtilla të shkurta kohore. Të kishte të paktën një propozim konstruktiv, për të cilin ekspertët e statistikës, gjegjësisht Enti Shtetëror i Statistikës do të thoshte se është i mirë, ne do ta pranonim dhe do ta vendosnim në tekstin e ligjit. Për fat të keq të tillë nuk morëm”, tha ministri.
Një nga kërkesat tha, ishte edhe kërkesa që përsëri të ketë Komision Shtetëror të Regjistrimit, që sipas tij, është organ politik dhe një nga shkaqet se pse kishte dështuar regjistrimi në vitin 2011. “Thoni politika jashtë regjistrimit, por organ politik të marrë pjesë në realizimin e të njëjtit”, tha Mariçiq.
Deputetët e opozitës dyshojnë se vallë dhe sa procesi do të jetë me të vërtetë statistikor, e jo politik.
Regjistrimi, thonë deputetët e opozitës, duhet të jetë operacion statistikor i cili do të japë numra për popullatën rezidente, e jo numrin e shtetasve. Sipas tyre, nuk e ka definicionin për vendbanimin e përhershëm, të cilin duhet ta ketë secili ligj për regjistrim, ndërsa rregullativat e BE-së dhe OKB-së, popullatë rezidente e konsiderojnë atë e cila ka jetuar në vendin e tyre në vendbanimin e zakonshëm për periudhë të vazhdueshme prej të paktën 12 muajve para regjistrimit dhe ajo që ka ardhur në vendin e tyre para regjistrimit me qëllim që të mbetet atje të paktën një vit.
Në vendin tonë regjistrimi është mbajtur në vitin 1948. Janë bërë tetë regjistrime, ndërsa i fundit në vitin 2002. Në vitin 2011 filloi që të realizohet një operacion i tillë statistikor, por, ai ishte ndërprerë.