Shkup, 6 tetor – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në vazhdimin e pasdites të seancës së 12-të sot i miratoi propozim ligjet për ratifikimin e Marrëveshjes së Parisit dhe Marrëveshjes për bashkëpunim mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Këshillit të ministrave të Bosnjës e Hercegovinës në proces të inkuadrimit në Bashkimin Evropian. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, pas votimit e ndërpreu seancën dhe paralajmëroi se Kuvendi do të vazhdojë me punë nesër në orën 11:00. Xhaferi, paraprakisht publikisht iu falënderua deputetëve të partive VMRO-DPMNE dhe BESA për mundësimin e punës dhe sjelljen e vendimeve. Të dy propozim ligjet i sqaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov. Në sqarimin e propozimit për ratifikimin e Marrëveshjes nga Parisi, Dimitrov tha se bëhet fjalë për marrëveshjen e parë universale dhe të detyrueshme ligjore kushtuar përpjekjeve globale për uljen e ndryshimeve klimatike. “Marrëveshja e Parisit është miratuar në seancën e 21-të të palëve të konventës kornizë të KB-së për ndryshime klimatike. Ishte e hapur për nënshkrim më 22 prill të vitit 2016, kur Republika e Maqedonisë e nënshkroi. Së bashku me korrikun e këtij vitit 151 shtete prej gjithsej 197 e kanë ratifikuar”, tha Dimitrov. Dimitrov, në sqarimin e marrëveshjes me BeH tha se ai bazohet në bazat e interesit strategjik të të dyja shteteve mike për anëtarësim në BE. “Marrëveshja u nënshkrua më 20 prill të këtij vitit. Në thelb dakorduam bashkëpunim në sferat e dialogut politik, ekonomik dhe tregtar, qarkullimin e punës dhe kapitalit, formimin dhe dhënien e shërbimeve, harmonizimin e legjislacionit me të drejtën e BE-së, bashkëpunim në gjyqësi dhe punët e brendshme, si dhe bashkëpunimin në fusha të tjera”, deklaroi Dimitrov.