Qeveria i ka transferuar 80 milionë denarë Kuvendit për fushatën për referendumin, por financat e dedikuara për 41 për qind e deputetëve nuk do të shfrytëzohen dhe nuk mund të ridedikohen, informojnë nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë.
Në kumtesën thuhet se me kërkesë të Kuvendit për aprovim të mjeteve financiare për fushatën për referendumin që do të realizohet nga propozuesi i autorizuar të Vendimit për referendum, Qeveria alokoi mjete në vlerë prej 80 milionë denarë, të transferuara në llogari të posaçme dedikuese Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, e cila do të shfrytëzohet për zbatim të fushatës për referendumin.
“Financat e alokuara jashtëzakonisht do të shfrytëzohen vetëm për dedikimin për të cilin janë ndarë mjetet, gjegjësisht për fushatën e cila do të realizohet nga ana e 71 deputetëve të cilët janë prononcuar se janë në koalicionin PËR referendumin, që paraqet 59 për qind nga koha për reklamim të autorizuar të paguar në media”, thuhet në kumtesë.
Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, informojnë se pjesa e mbetur nga financat e alokuara për fushatën e referendumit, gjegjësisht financat e dedikuara për 41 për qind të deputetëve të cilët në letrën deri te kryetari i Kuvendit u prononcuan se kërkojnë mjete për fushatë të re-dedikohen për qëllime të tjera, të njëjta nuk mund të re-dedikohen për qëllime të tjera, gjegjësisht të njëjta do të mbeten të pashfrytëzuara.
“Kuvendi si shfrytëzues i mjeteve, ka obligim, pas përfundimit të fushatës të përgatisë raport për mjetet e shpenzuara dhe financat e pashfrytëzuara do të kthehen menjëherë në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë”, thuhet në kumtesën nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit.
Grupi i deputetëve i VMRO-DPMNE-së kërkoi nga kryetari i Kuvendit që të hollat për fushatë të parapara për to të shfrytëzohen për projekte në arsim, bujqësi, mbrojtje…
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi sot kishte takim të rregullt me koordinatorët e grupeve të deputetëve me përjashtim të VMRO-DPMNE-së. Kuvendi do të ketë aktivitete deri të premten, ndërsa tanimë nga e hëna paralajmërohet fillim i fushatës së deputetëve për referendumin, i cili është caktuar për më 30 shtator.