Shkup, 24 shkurt – Pas dy ditësh debat të ashpër, Komisioni kuvendor për çështje të rregullores, mandateve dhe imunitetit mbrëmë nuk solli vendim për kërkesën e Gjykatës Penale për miratimin e paraburgimit për deputetin dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanoski për shkak të dyshimit për involvim në ngjarjet e 27 prillit.
Votimi ishte i barabartë, gjegjësisht katër vota ishin “pro” dhe katër “kundër” që do të thotë se tani vendimin nëse duhet t’i merret imuniteti i deputetit Veljanoskit do të duhet ta sjellë Kuvendi pasi raporti i Komisionit t’i dërgohet kryetarit të Parlamentit.
Për sot, në ueb faqen e Kuvendit, nuk është caktuar seancë plenare, por pritet ajo të caktohet më së voni tre ditë pas marrjes së raportit.
Debati në Komisionin për çështje të rregullores, mandateve dhe imunitetit filloi të premten dhe deri dje në mbrëmje kaloi me një sërë replikash, kundërreplikash dhe pauza. Opozita akuzoi se bëhet fjalë për përndjekje politike dhe propozoi në mënyrë kolektive të gjithëve t’u merret imuniteti i deputetit, ndërsa shumica parlamentare ishte me qëndrimin se duhet të zbulohen organizatorët e 27 prillit dhe të dalin para drejtësisë.
Kërkesa për marrjen e imunitetit të deputetit Veljanoskit pasoi pasi ai së bashku me Mile Janakieskin dhe Spiro Ristovskin të mërkurën është marrë në pyetje me urdhër të prokurorisë publike për dyshim për involvim në ngjarjet e 27 prillit. Veljanoski iu referua imunitetit të deputetit, ndërsa ish-ministrave Janakievski dhe Ristovski u është shqiptuar masë paraburgimi prej 30 ditëve.