Shkup, 29 janar – Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot pasdite vazhdoi debati për interpelancën e ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov të dorëzuar nga opozita. Për debatin janë paraqitur edhe 10 deputetë, raporton gazeta KOHA.
Opozita shtroi interpelancë për shefin e diplomacisë së Maqedonisë, duke e akuzuar se është duke e zbatuar funksionin në mënyrë të pandërgjegjshme, joprofesionale dhe në kundërshtim me interesat e Maqedonisë. Janë duke e akuzuar për marrëveshjet e nënshkruara me Bullgarinë dhe me Greqinë me të cilat, sipas tyre, rrezikohen interesat e Maqedonisë. Në fjalimet e veta, deputetët e opozitës kërkuan edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Në replikat e opozitës, Dimitrov theksoi se gjithmonë i ka shërbyer kauzës për Maqedoninë dhe se bën gjithçka mendon se është mirë për shtetin dhe popullin. I porositi deputetët e opozitës se partia nuk është populli.
“Ju duhet çdo mëngjes ta përsërisni – shteti nuk është partia, Maqedonia nuk është parti. Ne Ju presim në shekullin 21, do të jemi të durueshëm, do të japim gjithçka nga vetja dhe prej Jush të bëjmë miq. Ndërsa zgjedhje, kur të dëshironi, të shohim nëse populli dëshiron të jetojë në shekullin 21 apo në shekullin 19”, theksoi Dimitrov.
Në pajtim me Rregulloren për punë, deri në mesnatë duhet të përfundojë debati dhe të votohet për interpelancën e parashtruar, ndërsa deputetët deri në orën 20 kanë pushim. (koha.mk)