I ri dhe shumë i suksesshëm, djaloshi kosovar Kushtrim Dobra vjen në një rrëfim ndryshe për InfraRed të gazetës KOHA duke treguar se të gjithë i ka arritur i vetëm
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Keni bërë emër në fushën e artit muzikorë, por dëshirojmë të dimë kush është Kushtrimi jashtë skenës, na njihni pak me prejardhjen dhe familjen tuaj?
Unë jam Kushtrim Dobra nga Peja, jetoj në Cyrih bashkë me familjen.
KOHA: Si lindi pasioni dhe dëshira për t’u marrë me muzikë?
Muzikën e kam pasur gjithmonë në zemër, po ashtu edhe në gjak.
KOHA: Mbani mend këngën e parë që keni kënduar?
Kam kënduar para 18 viteve këngën “Za ku të kam moj çifteli” e kam dashur dhe e dua ende këtë këngë nga i madhi Rifat Berisha.
KOHA: Shumë këngë të raportuarit tuaj janë të pastra shqipe e madje edhe të dashurisë, pse?
Kam dëshirë që mos të prishi rininë me gjëra të këqija, për ata i këndoj dashurisë dhe atdheut gjë që të dyja më bëjnë mirë në jetë.
KOHA: Me punën tuaj keni krijuar identitetin në muzikë, a keni kënduar ndonjë këngë me veshje kombëtare e me plis në kokë, nëse jo a do e bënit një videoprojekt të tillë?
Gjatë koncerteve më ka rënë rasti të këndoj me plis, por në klipe ende nuk kam dal me veshje kombëtare.
KOHA: Keni hedhur në treg një videoprojekt të ri, na trego më tepër për krijimin e kësaj kënge?
Projekti i fundit është “Të dua”, këngë e pëlqyer shumë deri tani nga këngët e mia, klipin e kam realizuar në Zvicër ndërsa këngën e ka punuar Irenc Hyka.
KOHA: Do jeni pjesë për festat e fundvitit, po ndonjë duet keni në plan të realizoni?
Kënga “O syno” është këngë që kam realizuar me Eurolindin për festat e fundvitit.
KOHA: Ju kemi përcjellë se merrni pjesë në dasma dhe gazmende familjare në trojet etnike shqiptare. Cilin nga ata do më dallojë dhe pse?
Të them të drejtën deri më tani kam qenë thuajse në secilin qytet në Kosovë e Maqedoni, nuk mundem të dalloj ndonjë sepse në të gjitha kam kaluar për mrekulli.
KOHA: Kush është mbështetja jote kryesore?
Familja dhe fansat e shumtë.
KOHA: Kush i punon këngët tuaja dhe cilat janë planet për vitin e ardhshëm?
Punoj me të gjithë kompozitorët që bëjnë muzikë të mirë, kam shumë projekte të reja.
KOHA: Çfarë mendoni për këngëtarët e rinj dhe prurjet e reja muzikore, si dhe mesazhi për ato?
Mos u ndalni edhe nëse nuk keni përkrahje, mua personalisht asnjë nuk më ka ofruar përkrahje prej këngëtarëve të estradës tonë, por vetëm janë munduar të më bëjnë dëm, vazhdoni të bëni muzikë me zemër dhe publiku e dallon se kush është i mirë e kush jo.