Studentja Lutfije Nuhiu për gazetën KOHA thotë se kushtet jo të mira që i ofrojnë konviktet shtetërore dhe çmimi i lartë që duhet paguar për një muaj, janë arsyet kryesore pse po bie numri i aplikimeve për strehim në konvikte. Në ndërkohë, nga Drejtoria e Konvikteve sigurojnë se koha e karantinës dhe mbyllja e konvikteve është shfrytëzuar për përmirësimin e kushteve brenda dhe jashtë konvikteve
Zenel MIFTARI
Shkup, 5 gusht – Enti Shtetëror për Statistika së fundmi ka publikuar të dhënat më të reja për numrin e studentëve dhe nxënëseve të cilët mund të akomodohen në konviktet shtetërore. Sipas të dhënave zyrtare, në vazhdimësi kemi rënie të studentëve të cilët akomodohen në konviktet shtetërore. Në vitin akademik 2019/2020, numri i përgjithshëm i nxënësve dhe studentëve të akomoduar në konviktet shtetërore është rreth 5700, që është një rënie prej 4.5 për qind në krahasim me vitin akademik 2018/2019, ku kishim më shumë se 6000 studentë, gjimnazistë dhe filloristë, të akomoduar në konviktet shtetërore.
Raportet vjetore të Entit Shtetëror për Statistika përfshijnë 36 konvikte, të cilët janë konvikte për nxënës të shkollave fillore, konvikte për nxënës në shkolla të mesme, konvikte për nxënës në shkolla të mesme fetare dhe konvikte studentore. Konviktet studentore dhe ata për nxënës ofrojnë strehim, ushqim dhe edukim për nxënësit dhe studentët gjatë shkollimit jashtë vendbanimit të përhershëm të tyre. Më të banuara nga të gjitha konvikteve janë konviktet e studentëve. Pas tyre vinë ato për shkollarët e mesëm, të cilët ndjekin studimet në shkollat profesionale të ndryshme jashtë vendbanimeve të tyre ku jetojnë me prindërit dhe në fund me numrin më të vogël të banuesëve janë konviktet e shkollave fillore dhe atyre fetare. Studentja Lutfije Nuhiu, e cila për tre vite rresht banon në konvikt sutendor, për gazetën KOHA, ka thënë se konviktet në Maqedoninë e Veriut, janë një problem i madh për studentët i cili përsëritet çdo vit. Ajo thotë se në konvikte ku banojnë studentët, paraqiten një numër i madh i problemeve, ndërsa numëron kushtet jo të mira që i ofrojnë konviktet shtetërore dhe çmimin e lartë që duhet paguar për një muaj.
“Këto janë arsyejet që studentët po vendosin të marrin ndonjë banesë private me shoëri, ku kanë kushte më të mira dhe nëse merret bashkarisht me shokë – do të jetë edhe më ekonomike”, shprehet Lutfija. Ndërkohë, pas vendimit të marrë nga Qeveria e RMV-së më 10 mars për mbylljen e të gjitha shkollave dhe universiteteve me qëllimn që të mos përhaoet virusi korona, nga 11 marsi u mbyllën të gjitha konviktet në vend. Nga Drejtoria e Konvikteve për mediat thonë se me mbylljen e konvikteteve, është shfrytëzuar periudha që të bëhen renovime brenda dhe jashtë konvitkeve. Siç thonë nga atje, me qëllim të përmirësimit të kushteve të studentëve në këto konvikte. Për ata studentë që dëshirojnë të akomodohen në konviktet shtetërore, Ministria e Arsimit dhe Shknecës (MASH), ka hapur konkurs më 27 korrik për pranimin dhe regjistrimin e studentëve në konviktet shtetërore. “Afati i regjistrimit elektronik të studentëve nga viti dytë dhe ato më të larta fillon nga 27.07.2020 dhe zgjat deri në 17.08.2020. Afati i regjistrimit elektronik të studentëve të vitit të parë fillon nga 07.09.2020 dhe zgjat deri më 21.09.2020. Pas publikimit të listave përfundimtare të studentëve të pranuar sipas konvikteve, nëse objektet e akomodimit në një konvikt të caktuar mbeten të paplotësuara, aplikimi elektronik do të vazhdojë derisa të plotësohen, por jo më vonë se 28.09.2020”, thonë nga MASH.
Ndryshe, sipas publikimeve të MASH-it, për t’u vendosur në konviktet shtetërore, për çdo muaj studentët duhet të paguajnë nga 60 euro apo në kundërvlerë të denarit 3660 denarë, ku përfshihet një krevet dhe dy vakte ushqimi në ditë. Të liruar nga pagesa janë studentët me aftësi të veçanta, ata të rasteve sociale dhe ata me prindër që marrin rrogë jo më të madhe se minimalja. (koha.mk)