Hulumtimi i bërë nga ana e Forumit rinor të arsimit (FRA), ku u përfshin rreth 300 studentë, tregon për korrupsionin i cili zhvillohet në konvikte. 40 për qind e të anketuarve kanë vërejtur korrupsion në konvikte, prej tyre 89 për qind nuk dinë se ku mund ta lajmërojnë korrupsionin dhe 33 për qind kanë pasur përvojë personale ose njohin dikë që e kanë përfshirë në korrupsion
Remzije BILALLI
Shkup, 23 janar – Buxheti i përgjithshëm vjetor i Konvikteve shtetërore të studentëve (KSHS) – “Shkup”, gjatë viteve 2014 /2018 mesatarisht është 3.5 milionë euro, mirëpo për përgatitjen e ushqimeve në konviktet studentore, të cilat drejtohen nga KSHK, ndahen 61 denarë në ditë për një student, tregon hulumtimi i bërë nga ana e Forumit rinor të arsimit (FRA), ku u përfshin rreth 300 studentë të cilët qëndrojnë në këto hapësira.
Të dhënat tregojnë se 2.95 ishte nota mesatare nga shkalla prej 1 derti në 5, e cila doli nga vlerësimi i studentëve në tre konvikte studentore të vendosura në Shkup, sa i përket kushteve dhe standardit jetësor. Shqetësuese janë të dhënave sa i përket ushqimit ndaj studentëve. “Në periudhën nga viti 2015 deri 2018 sasia e pemëve të freskët të prokuruar është rritur për tre herë nga 7.600 do 23.500 kilogramë. Nga marrëveshja për prokurimin publik të pemëve dhe perimeve në vitin 2018 mund të shihet se mund të blejnë 4000 kg banane. Nëse kjo sasi ndahet me numrin e studentëve, i bie nga një banane në muaj”, thuhet në hulumtim.
Numri i studentëve, të cilët vendosen në konvikte studentore dukshëm po ulet nga viti në vit, përkundrejt numrit të punëtorëve i cili po rritet. Numri lëviz nga 2.867 gjatë vitit akademi 2014/15 në 2.255 gjatë viteve 2017/18, që do të thotë një ulje prej 21 për qind. Ulje më drastike kishte në konviktin “Stiv Naumov” ku numri i studentëve gjatë viteve 2016/17 u zvogëlua për 51 për qind. “Numri i studentëve të cilët janë të vendosur në konvikte ulet për shkak kushteve jo të mira si dhe ikjes së të rinjve jashtë vendit”, tha Petar Barlakovski. Arsye që studentët më shumë kanë zgjedhur banimin në konvikte është për shkak pagesës dhe shpenzimeve më të ulëta.
Të dhënat gjithashtu tregojnë edhe për korrupsionin i cili zhvillohet në konvikte. 40 për qind e të anketuarve kanë vërejtur korrupsion në konvikte, prej tyre 89 për qind nuk din se ku mund ta lajmërojnë korrupsionin dhe 33 për qind kanë pasur përvojë personale ose njohin dikë që e kanë përfshirë në korrupsion. 92 për qind e të anketuarve asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e marrjes së vendimeve në konvikte, 70 për qind kanë njohuri shumë të vogla sa i përket organeve udhëheqëse në konviktet studentore.
Nga FRA rekomanduan se institucionet duhet që të ndajnë më shumë fonde për konviktet studentore me qëllimit të përmirësimit të kushteve jetësore për studentët të cilët banojnë. Ndërkaq ata porositën edhe përfshire më të madhe të studentëve në konviktet studentore, respektivisht ata të jenë prezent gjatë krijimit të menysë së ushqimit. Mirëpo, drejtori i KSHS Dario Nikolovski për gazetë KOHA analizat e këtij hulumtimi i komentoi si jo të realta, sidomos dakord nuk ishte me rastin e një bananes në muaj për studentët.
“ Këto analiza janë zhvilluar q nga viti 2015, kur kushtet në konvikte ishin jo të mira por ne vazhdimisht po punojmë dhe po mundohemi në përmirësimin e kushteve për studentet. Ajo që vlen të theksohet është gjendja në të cilën i kam gjetur, duke përfshi edhe borxhet të cilat tani janë zvogëluar për më shumë se 50 për qind”, tha Nikolovski. Ai u shpreh se është i gatshëm të bisedoj me të gjithë të konsultohet dhe do të marrë parasysh çdo ankesë nga ana e studentëve me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe standardit jetësor në konvikte. Ndërkaq shtoi se korrupsioni dhe gjithçka tjetër mund ta paraqesin edhe tek ai në mënyrë direkte. (koha.mk)