Evis HALILI
Shkup, 12 shkurt – Fond të varfër, kushte të këqija, anëtarësi që reduktohet…, janë disa prej problemeve që në pjesën më të madhe të bibliotekave në qytete të ndryshme. Sipas një raporti më të fundit të Ministrisë së Kulturës situata e tanishme argumentohet me faktin se veprimtaria bibliotekare ka qenë një prej sektorëve që është investuar më së pakti, shkruan gazeta KOHA. Por edhe për këtë vit për bibliotekat Ministria e Kulturës parashikon që të vërë në dispozicion një fond prej 88 milionë denarësh, shumë kjo që nuk është më shumë se katër për qind më e madhe sesa një vit më parë.
Në qoftëse në disa qendra të kulturës, kushtet e sallave të leximit janë më të mira, apo fondi bibliotekar më i pasur, si në qytetin e Dibrës, në Tetovë, situata është krejtësisht ndryshe në Gostivar. Biblioteka e Tetovës, e cila renditet si një prej bibliotekave më të mëdha në vend, sa i përket fondit të librave (mbi 150 mijë tituj) prej disa vitesh funksionon në hapësira dhe kushte aspak adekuate, brenda godinës së Qendrës së Kulturës. Kanë lexues, një shifër konstante brenda pesë viteve të fundit që arrin deri në katër mijë persona aktivë, fond titujsh që shtohet, por gjithçka e organizuar të funksionojë në kushte minimale, librat e rinj dhe i tërë arkivi ruhet jo sipas radhitjes adekuate dhe të kapshëm për lexuesin.
“Por gjithsesi funksionojmë kështu prej disa vitesh dhe i jemi përshtatur kushteve. Libra kemi, po ashtu edhe lexues, por hendikepi më i madh janë mungesa e sallave të leximit, internetit, hapësirave të duhura. Kjo gjendje është e njëjtë prej shumë vitesh dhe mund të ndryshojë vetëm me ndërtimin e objektit të ri”, thotë për KOHA, drejtori Murtezani.
Por në biblioteka të tjera, si në atë të Qendrës së Kulturës në Gostivar problemet janë të tjera. Numri i lexuesve dhe anëtarësimet janë përgjysmuar, interesimi është gjithnjë e më i vogël, por edhe furnizimi me tituj dhe libra të rinj lë shumë për të dëshiruar. Na sigurohen vetëm 200 mijë denarë, që janë pak për t’u pajisur me literaturën e duhur. Nevojat tona janë specifike dhe nuk mund të na akordohen po aq sa edhe të themi Kriva Pallankës, apo ndonjë biblioteke të një qytetit- tjetër që ka pak banorë”, thotë drejtori i qendrës Luan Zenku. Sipas tij, literatura që duhet të jetë të paktën në katër gjuhë (shqip, turqisht, maqedonisht, anglisht) nuk mund të sigurohet me buxhet minimal. Sipas Zenkut interesimi për librin mungon si nga ana e lexuesit, ashtu edhe nga ana e shkollave. Paketat dhe ofertat e ndryshme për anëtarësim nuk shfrytëzohen nga banorët, ndërsa mes vetë bibliotekave në qytetet shqiptare mungon koordinimi sa i takon literaturës në gjuhën shqipe.
Sipas një analize të Ministrisë së Kulturës së situatës se ku gjenden bibliotekat dhe si funksionojnë ato është e keqe, sidomos sa i takon ruajtjes së fondeve dhe mungesave për sigurimin e ekzemplarëve të detyrueshëm. Po ashtu, ceket në raport, pjesa më e madhe e bibliotekave janë të vendosura në objekte jofunksionale, që nuk janë ndërtuar sipas standardeve për ndërtimin e bibliotekave. Sipas prioriteteve të këtij institucioni parashikohet çelja e disa bibliotekave të reja, ndërsa pranë qendrave të kulturës të ngrihen biblioteka publike, si në Gostivar, Strugë, Kërçovë e të tjera. Në Maqedoni numërohen gjithsej 51 biblioteka me një fond bibliotekar rreth dy milionë ekzemplarë. Po ashtu krahas bibliotekave publike funksionojnë edhe ato të profilizuara, një nacionale, 13 për shkollat e larta, 10 të specializuara dhe gjashtë biblioteka – institucione nacionale. Një pjesë e bibliotekave, 34 të tilla janë në kompetenca të Ministrisë së Kulturës, ndërsa një grup tjetër varen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. “Aktiviteti për mbrojtjen e fondeve, kërkesat për ekzemplarin e detyrueshëm janë neglizhuar dhe subjekti i autorizuar, Biblioteka universitare nuk ka arritur që ta kryejë këtë funksion… pjesa më e madhe e bibliotekave janë të vendosura në objekte jofunksionale, që nuk janë ndërtuar sipas standardeve për ndërtimin e bibliotekave, duke përfshirë këtu edhe objektin më të ri, Bibliotekën nacionale”, thuhet në raport, përcjell KOHA.
Pritet që Ministria e Kulturës të çelë biblioteka të reja në qytete si Tetovë (bëhet fjalë për projektin Biblioteka Teatri që ka nisur prej disa vitesh), Ohër…, ndërsa pranë qendrave të kulturës të ngrihen biblioteka publike, si në Gostivar, Strugë, Kërçovë e të tjera. (koha.mk)